Ekspozite

Mbyllja e Onufrit – S’u punua për zhvillimin e ekspozitës në nivelin e duhur

Pas vendimit në dhjetorin e 2018-ës për mbylljen e ekspozitës ndërkombëtare “Onufri”, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve flet rreth arsyeve që e çuan bordin artistik të GKA-së të dilte në konkluzionin se kjo ekspozitë e themeluar në vitet ’90, jo vetëm që e kishte kryer misionin e vet në më shumë se dy dekada, por edhe roli i saj qe zbehur. Në një intervistë për Gazeta “Si”, Shkololli ka thënë se u diskutua gjatë deri në marrjen e këtij vendimi dhe se u pa e arsyeshme se roli i “Onufrit” kishte mbaruar, duke  shtuar se Galeria ecën tashmë me një hap tjetër.

Ai ka zbuluar gjithashtu se në kuadër të rikonceptimit  të Galerisë, do të organizohet një ekspozitë e kuruar, me temë, e cila bën hulumtim dhe fton artistë. Por kjo sipas tij nuk është kundërpërgjigje e Onufrit. Kjo ekspozitë, zbulon më tej drejtori do të fokusohet në artin bashkëkohor, do të ketë një komunikim mes skenës shqiptare, rajonale, por edhe botërore dhe respekt të njëjtë, pasi në “Onufri”, argumenton Shkololli, respekti që ishte krijuar – mes skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare – ishte fiktiv, ku ftoheshin ndërkombëtaret dhe konkurronin lokalët dhe  luftohej për një çmim. Shkololli rrëfen se në  ekspozitën e re, nuk do të ketë më çmime.

Në lidhje me rezistencën e artistëve dhe kuratorëve kundër mbylljes së ekspozitës “Onufri”, Shkololli thotë se kjo nuk është hera e parë, pasi edhe në vitin 1998, kur kjo ekspozitë u kthye në kombëtare në ndërkombëtare, hasi në rezistencë dhe kundërshti. Ai i cilëson këto reagime si të natyrshme. Ai thotë se Galeria Kombëtare e Arteve duhet ta provokojë publikun me ide dhe qasje të reja. Drejtori i GKA-së , i cili ka qenë një prej kuratorëve të “Onufri”, në edicionin e vitit 2004, pranon se kjo ekspozitë e pati efektin e jashtëzakonshëm për kohën e vet. Kur skenës shqiptare i mungonte komunikimi me skenat botërore të artit, Shkololli thotë se ardhja e personaliteteve të huaja- artistë dhe anëtarë jurie – ishte e rëndësishme.

Por sipas tij, me kohën u zbeh ardhja  e artistëve të huaj po ashtu edhe e anëtarëve të jurisë dhe ekspozita u zbeh jo vetëm në respekt, por edhe në mënyrën si zhvillohej. “Për më shumë se 20 vite funksionoi dhe mendoj se si çdo proces, që nis të mos tregojë rezultatet e duhura, është më e udhës të merret një vendim prej institucionit, që e ka zhvilluar këtë ekspozitë”, ka thënë drejtori i GKA-së, duke shtuar se ky nuk duhet parë si moment negativ. Me rikonceptimin e programit, qasja e Galerisë në artin bashkëkohor vjen me forma të tjera prezantimi, pa pasur nevojë për çmime, thotë ai.

 

Më Shumë