Futboll

Mbyllet merkato/ Interi refuzon Zhordi Albën, Milani bën dy goditje

Gazeta Si – Ka rënë gongu për mbylljen e merkatos. Nuk ka pasur ndonjë goditje mbresëlënëse të minutës së fundit, por vetëm disa zhvillime interesante, ku përfshihen Milani, Interi dhe Barcelona.

Interi ka rezistuar ndaj sulmit të PSG-së për Shkriniar dhe është përpjekur me çdo kusht për të marrë edhe një mbrojtës tjetër qendre. Steven Zhang nuk do që të shtojë kostot, por drejtuesit e klubit duan ta bindin për të marrë Açerbin. Emri i ri është Zagadou, pa kontratë aktualisht.

Zhordi Alba dhe Pike. Gazeta Si, 1 shtator 2022

Orët e fundit doli në skenë emri i Zhordi Albës, por spanjolli nuk do ta veshë fanellën e Interit. Marota e ka refuzuar propozimin për mbrojtësin e majtë. Mediat spanjolle shkruan se, nëse Alba do kalonte tek Interi, Barcelona do paguante 60% të pagës, por kjo pistë ka rënë poshtë. As lojtari nuk donte të largohej.

Te Barcelona ka bërë ‘pazar’ Milani, që pret të zyrtarizojë mbrojtësin e krahut Dest. Mund të jetë rastësi, por goditja e parë e RedBird, pronarëve të rinj amerikanë të Milanit, do të jetë një amerikan. Lojtari mund të vishet kuqezi me formulën e huazimit me të drejtë blerje. Dest ka luajtur te Barcelona dy sezone, por jo gjithmonë titullar.

Dest me fanellën e Barcelonës. gazeta Si, 1 shtator 2022

Aster Vranck ndërkohë ka mbërritur në Itali për të nisur aventurën me Milanin. Belgu, i datëlindjes 2002, vjen pas akordit që kuqezinjtë kanë arritur me Volfsburgun për një huazim prej 1.5 milionë eurosh, me të drejtën e blerjes për 12 milionë euro.

Në kampionatet e tjera, ndër goditjet më të forta të minutave të fundit është ajo e Fofana te Çelsi. Londinezët janë gati edhe për shkëmbimin e Markos Alonsos me Aubamejang të Barcelonës.

Mario Baloteli ka kaluar te Sioni në Zvicër, kurse Piatek ka lënë Gjermaninë dhe ka kaluar te Salernitana në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë