Ngjarje

Mbyllet hetimi për rrahjen e 15-vjeçarit nga policia: Arbitrare! As shefi i Rendit s’e kontrolloi situatën

Aktorja Zaida Çobo bëri paqe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, madje ky i fundit i kërkoi falje edhe për akuzat që lëshoi ndaj saj dhe të birit në komision të sigurisë. Thuhet madje se së shpejti Zaida do hyjë në polici dhe do shërbejë në zyrën e pritjes me publikun në një komisariat në kryeqytet. Por teksa situata gjatë majit ishte e tensionuar, pasi aktorja kërcënoi nga ana e saj se do padiste kryepolicin Veliu, gjithçka u harrua dhe u fal. Por polici që u bë shkak për këtë përplasje pasi goditi fëmijën e aktores, ka ende punë përpara drejtësisë. Një burim i tha gazetës “Si” se prokuroria dorëzoi këtë të hënë në gjykatë si të pandehur policin e pezulluar nga detyra G.N. Hetimi u mbyll nga prokurorja Eriselda Bala që ka ngritur akuzën e veprimeve arbitrare, një ngjarje që më pas prodhoi një skandal tjetër për sa kohë numri një i Policisë e justifikoi vartësin, duke treguar një sekuencë filmike të aktores me armë, ndonëse ato ishin pjesë e një filmi.

Gjatë hetimeve polici, i cili gjatë karantinës dhunoi 15-vjeçarin, pasi kishte shkelur rregullat e lëvizjes së kufizuar, nuk ka dhënë asnjë deklaratë. E vetmja fjali që 29-vjeçari ka pohuar është “aktualisht nuk mund të jap shpjegime. Do t’i jap në një fazë tjetër për shkak se nuk jam në gjendje të tronditjes së fortë psikike se jam pezulluar nga detyra”.

Çfarë thanë kolegët e tij që ditën e ngjarjes ishin në të njëjtin shërbim? policis E.Sh., i cili kishte ndaluar të miturit i thotë prokurores në dosjen që iu dorëzua këtë të hënë gjykatës se si fëmija i kishte fyer e goditur sipas tij. Madje kur sipas Shulit situata kishte dalë nga kontrolli, ai ishte detyruar të kërkonte një patrullë ndihmëse, tek e cila ishte edhe akuzuari. “Isha duke kryer shërbimin pranë digës së Liqenit Artificial. Rreth orës 17.10 në drejtimin tonë po vinin dy djem me biçikletë. Në momentin që u afrua, unë ju kërkova të ndalonin dhe i pyeta a kishin leje daljeje. Njëri prej tyre ndaloi, kurse tjetri m’u afrua dhe më preku me gomën e biçikletës. I kërkova dokumentin e identifikimit por më tha – kush je ti që më ndalon mua? Nuk ke by** ti të më ndalosh mua, ti nuk e di kush jam unë. I kërkova disa herë të kthehej në banesë, por ai tha – jo , do dal nga Liqeni Artificial. Unë i thashë që nuk lejohej, pasi kishte përfunduar orari, ai m’u përgjigj – mos më çaj k... do të heq nga puna, do të degjeneroj. Në këto momente i kërkova eprorit që të afrohej një patrullë për t’i shoqëruar dhe për të marrë masë administrative ndaj tyre”.

Polici, i cili konsiderohet nga prokurorja si dëshmitar në këtë ngjarje ka justifikuat madje edhe patrullën që mbërriti ku gjendej edhe kolegu i tij, nën akuzë që prej kësaj të hëne. Si argument ka sjellë edhe dështimin e shefit të Rendit pranë Komisariatit Numër 2. “Në atë moment kur kjo po ndodhte, u afrua edhe shefi, Mynyr Muca, i cili tentoi të komunikojë me të, por ai i tha dhe atij- mos më çaj k... do t’ju heq të gjithëve nga puna”. Siç kuptohet edhe shefi edhe vartësi janë trembur për vendin e punës, ndaj dhe kanë bërë dy hapa pas derisa ka mbërritur patrulla. Kjo situatë ka zgjatur disa minuta sipas prokurores. “Kur efektivët G.N. dhe E.M. mbërritën dëgjuan se ç’po nxirrte i riu nga goja. I kërkuam të zbatonte ligjin, por ai u bë i dhunshëm dhe agresiv. Mbahej forcërisht mbas biçikletës dhe na goditi me të. E kemi zbritur forcërisht nga biçikleta, e kam prangosur me njërën dorë, kurse dorën tjetër ia prangosi polici G.”

Shoku i të miturit të dhunuar

Por prokurorja nuk është mjaftuar vetëm me marrjen në pyetje të skuadrës së policëve, apo edhe të nënës së tij. Si dëshmitar okular është administruar sipas burimeve të gazetës “Si” rrëfimi i shokut të 15-vjeçarit që në 15 maj, doli xhiro me biçikletë.

“Na u afrua një polic, na tha që nuk lejohej lëvizja. Aty u afrua dhe një tjetër, dhe kur u thamë që donim të kalonim nga autostrada ata na kapën nga biçikleta dhe nuk na lejonin. Unë zbrita, ndërsa S. nuk zbriti. Më pas erdhi një makinë policie, prej saj dolën tre policë. Polici që doli nga sedilja e parë e kapi S. nga duart, ndërsa mua më mbajti një polic civil. Polici i kërkoi S. të zbriste nga biçikleta, ndërsa ai nuk zbriti... Ai e rrëzoi nga biçikleta, dhe e goditi me shpullë në fytyrë. Më pas, ky polic, bashkë me të tjerët e prangosën, e ngritën në ajër dhe polici në fjalë e qëlloi me shpullë në fytyrë”. Dëshmitari tregon se kishin qëndruan në komisariat 45 minuta derisa aty kishte mbërritur Zaida Çobo, nëna e fëmijës. “Shefi i tha nëse donim të bënim denoncim, por Zaida iu përgjigj - mjafton që të dalim të lirë, të marrim biçikletat dhe nuk do bëjmë denoncim”.

Aktorja është pyetur gjithashtu nga prokuroria që siç kuptohet veç dëshmitarëve ka administruar edhe pamje filmike. Aktorja pohon se kur shefi i komisariatit e kishte ftuar për denoncim i kishte treguar gjithashtu që i biri i kishte ofenduar policët. “S. më puthi duart  dhe unë i thashë – a duhet ta puthja që kishte ardhur në dyert e policisë dhe se kishte ofenduar policët. Djali u lotua dhe më tha se e kishin bërë ata. Ndërkohë shefi pyeti - kush e ka qëlluar djalin? E pyeta S. por ai më tha - nuk dua të bëj denoncim se kam frikë. Pas daljes shefi e konsideroi djalin si djalin e tij dhe kërkoi me insistim të bëhej denoncim ndaj policëve. Kur shkuam në shtëpi, vajza më tregoi videon që kishte dalë në rrjetet sociale dhe aty u bëra pishman që nuk bëra denoncim. Por megjithatë kërkoj që tani kjo ngjarje dhune e kryer nga një polic me uniformë të ndiqet ligjërisht”.

Fëmija i dhunuar i pyetur në prani të psikologëve për llogari të hetimeve shpjegon se postblloku nuk e dëgjoi kur ai iu kërkoi të kalonte nga autostrada pasi ai andej kishte shtëpinë. “Më pas, policët më rrëzuan për tokë me gjithë biçikletë. Kur u çova, ata tentuan të më prangosnin, dhe polici në fjalë më rrotulloi në ajër. Më pas më vuri shkelmin në kokë dhe më prangosi. U ndjeva i frikësuar dhe ju thashë ç’po bënin ashtu? Polici në fjalë më goditi me shpullë dhe unë ju thashë mos të më gjuanin më. Pastaj më gjuan sërish në fytyrë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë