Futboll

Mbyllet bojkoti i arbitrave, rifillon kampionati

Mbledhja e kësaj të hëne mes aktorëve të futbollit shqiptarë dhe përfaqësuesve të qeverisë ka prodhuar zgjidhjen e parë. Bojkoti i arbitrave që pezulloi kampionatin për javën që lamë pas është ndërprerë.

Duke filluar që nga dita e nesërme pritet që të rifillojnë ndeshjet në të gjitha nivelet e futbollit tonë. Ndeshjet e para do të jenë ato për Kupën e Shqipërisë. Teuta do të përballet me Kukësin, Tirana me Laçin dhe Partizani do të ndeshet me Luftëtarin. Këtë mesjavë do duhej të luante edhe Skënderbeu me Kamzën, por duke qenë se ekipi kamzali është pezulluar, korçarët nuk do të zbresin në fushë dhe do të jenë pushim.

Por pezullimi i Kamzës do të sjellë dhe një tjetër zhvillim shumë interesant në kampionatin shqiptar. Çdo javë të Superligës deri në fund një nga ekipet do të jetë pushim dhe do t’i marrë tre pikët në tavolinë. Këtë javë është Flamurtari që pushon dhe do t’i marrë në tavolinë tre pikët që do duhej të merrte me Kamzën. Sakaq pritet që ndeshjet e shtyra këtë fundjavë të luhen mesjavën e ardhshme, duke rikuperuar këtë javë të humbur nga pezullimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë