Pas një dite të acartë dhe radhë të gjata votuesish, qendrat e votimeve në zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbyllën në orën 19:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve theksoi se pjesëmarrja e votuesve ka qenë mbi 46.90% për qind. E diela ishte një ditë e ftohtë në Kosovë, por vëzhguesit thanë se nuk janë parë shumë parregullsi. Temperaturat e ulëta bënë që në orët e paradites pjesëmarrja të ishte më e ultë sesa në të kaluarën.
Por radhë të gjata qytetarësh u shfaqën në orët e pasdites, në një sërë qytetesh. Pas përpunimit të më shumë fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovës ishte mbi 47 për qind.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, deklaroi në një konferencë për mediat se të drejtën e votës e shfrytëzuan 827,984 qytetarë. Ajo theksoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kanë votuar 44.18 për qind, apo 812,049 qytetarë.
“Sot Kosova tregoi shembull se si duhet të organizohen zgjedhje, pavarësisht sfidave të shumta. E shfrytëzoj rastin që në emër të KQZ-së të falënderoj posaçërisht qytetarët e Kosovës, që në këtë ditë dhanë shembull të një kulture të lartë demokratike”, tha Daka.
Udhëheqësit e partive politike ndërsa hodhën votën e tyre, bënë thirrje për pjesëmarrje më të gjerë në zgjedhje.
"Sot është ditë e bardhë, e ndritshme ashtu siç do të jetë edhe e ardhmja jonë. Qytetarët kanë nevojë për demokraci, institucionet kanë nevojë për legjitimitet, sot kjo nevojë është edhe e drejtë e cila më tej paraqet mundësi dhe shans që duhet shfrytëzuar dhe duhet përdorur”, tha kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kandidat për postin e kryeministrit.
"Pres që të kemi një proces të rregullt zgjedhor në mënyrë që të mirëmbajmë standardet e organizimeve të zgjedhjeve të rregullta sipas standardeve më të mira evropiane me zgjedhje të lira, demokratike, ku qytetarët në mënyrë të lirshme e thonë fjalën e tyre”, tha kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministrit, Avdullah Hoti.
"Sot është dita kur flasin qytetarët dhe jo ne politikanët, por është ditë kur flasin qytetarët e Kosovës dhe ne mendojmë që sot qytetarët e Kosovës janë para dy opsioneve, para opsionit të rimëkëmbjes ekonomike, të stabiliteti politik dhe integrimit ndërkombëtar apo para opsionit të mjegullës, të mjegullës dhe të mjegullës dhe të izolimit ndërkombëtar”, tha Enver Hoxhaj, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidat i saj për postin e kryeministrit.
"I lus gjithë qytetarët e vendit që ta shfrytëzojnë të drejtën e vet, pra të votojnë, këto zgjedhje janë me rëndësi që t’u japim legjitimitet institucioneve të Kosovës që dalin nga këto zgjedhje. Na presin shumë sfida, përballja me Serbinë, situata me pandeminë edhe forcimi i brendshëm i vendit”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe pretendent për postin e presidentit të Kosovës.
"Shpresoj që këto zgjedhje do të prodhojnë stabilitet, siguri dhe qeverisje stabile. Të gjitha këto vijnë nëse vazhdojmë të jemi krenarë për të kaluarën e duke mos harruar të kaluarën mund të ecim në të ardhmen”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate.
Ndonëse përgjatë fushatës para zgjedhjeve partitë politike nuk u kanë kushtuar shumë hapësirë, fituesit do të përballen edhe me sfidat e trashëguara siç janë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që u shpall nëntë vjet pas përfundimit të luftës në vitin 1999 me ndërhyrjen e NATO-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.