Kombetarja

Mbyllen polemikat për Armando Brojën, Poçetino konfirmon mungesën e tij ndaj Arsenalit

Gazeta Si – Bie poshtë përfundimisht e ashtuquajtura çështja ‘Broja’, e shumëpërfolur pas ndeshjes me Çekinë, kur pati zëra se sulmuesi kuqezi braktisi Kombëtaren. Këtë çështje e ka mbyllur sot trajneri i Çelsit, Mauricio Poçetino, duke konfirmuar mungesën e lojtarit në sfidën me Arsenalin.

Javën e kaluar u fol shumë për Armando Brojën në Shqipëri. Trajneri Silvinjo e zyrtarizoi mungesën e tij për shkak dëmtimi, por u aludua se sulmuesi iku nga grumbullimi për të vazhduar stërvitjen me Çelsin, në mënyrë që të luante ndaj Arsenalit.

Broja gjate nje ndeshje me Kombetaren. Gazeta Si, 20 tetor 2023

Një variant që bie poshtë nga deklarata e sotme e trajnerit Poçetino. Në konferencën për shtyp ai zyrtarizoi mungesën e Armando Brojës, duke u shprehur se lojtari ka një problem në gju. Trajneri i londinezëve tha se dëmtimi nuk është serioz dhe Broja me shumë mundësi do të luajë ndeshjen pas Arsenalit.

Deri në këtë moment vetë Broja nuk ka folur për polemikat e fundit. Gjasat më të mëdha janë që klubi i Çelsit ta ketë kërkuar lojtarin në Londër, pasi është mësuar gjendja e tij shëndetësore pas kontrolleve që sulmuesi kreu në grumbullimin e Kombëtares.

Trajneri Silvinjo pas ndeshjes me Çekinë u shpreh qartë se në Kombëtare nuk ka një çështje ‘Broja’, ndërsa tani ky version konfirmohet edhe nga mungesa e sulmuesit kuqezi në ndeshjen e kampionatit me Çelësin. Dhe kuptohet që ky është një lajm i mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë