SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen për vrasjen e Santiago Malkos mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në Tiranë, duke dërguar për gjykim 9 të pandehur.
Të akuzuar për vrasjen me paramendim, janë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, si dhe Ilir Selmani, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni dhe Dritan Aga.
Sipas organit të akuzës, shkak i vrasjes është bërë përplasja e dy grupeve kriminale, rivale në aktivitetin e lojërave të fatit. Ekzekutimit të ish-policit, sipas SPAK i paraprin edhe dy ngjarje të tjera kriminale.
Prokuroria e zbardhi ngjarjen pas dëshmisë së të pandehurit Blendi Teta që po gjykohet në një proces të ndarë, por edhe falë provave të ADN-së në dy makina, që u përdorën në vrasje.
Policia ka zbuluar mbetje biologjike dhe ka përftuar përmes tyre disa kampionë ADN-je. Për të konfirmuar praninë e të pandehurve në këto automjete, ADN-të janë krahasuar me profilet gjenetike të prindërve të tyre, që kanë rezultuar të përputhshme.
Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet në Tiranë, në makinën e tij tip “BMW X5”. Malko dyshohet të ketë pasur lidhje shoqërore me Ervis Martinajn, i cili u përfshi në vrasjen në ish-Bllok më 4 tetor 2018.
Të pandehurit
1) Leonard Duka, banues Tiranë, në mungesë.
2) Erlis Duka, banues Tiranë, në mungesë.
3) Ilir Selmani, banues Tiranë, aktualisht në paraburgim.
4) Oltian Loga, banues Tiranë, në mungesë.
5) Aleksandër Maxhaku, banues Tiranë, në mungesë.
6) Fatmir Hyseni (Musai), banues Vlorë, në mungesë.
7) Dritan Agaj, banues Tiranë, në mungesë.
8) Xhoni Nica, banues Tiranë, me masë sigurimi personal “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale.
9) Elvis Gaçaj, banues Tiranë, në gjendje të lirë
Akuzat
1.Të pandehurit Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni (Musai), Dritan Agaj – për vepër penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për ngjarjen të ndodhur më datë 27.08.2019 rreth orës 22:20, në Rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri viktima Santiago Malko.
2.Të pandehurit Leonard Duka, Oltjan Loga, Dritan Agaj akuzohen dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, për fakt penal të verifikuar më datë 08.04.2019 në Kompleksin “Halili” në Tiranë.
3.Të pandehurit Leonard Duka, Oltjan Loga, Dritan Agaj akuzohen dhe për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” përmes mbajtjes së saj, për fakt penal të verifikuar më datë 08.04.2019 në Kompleksin “Halili” në Tiranë.
4.I pandehuri Ilir Selmani akuzohet dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për fakt penal të verifikuar në datë 16.04.2020 dhe rreth orës 15:30 në Tiranë, në kontrollin fizik për arrestim të tij.
5.I pandehuri Oltjan Loga akuzohet dhe për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, për fakt penal të verifikuar më datë 30.09.2019 rreth orës 14:30 në banesë të shtetasit Oltjan Loga, në rrugën “Spiro Çiço”.
Të gjithë të pandehurit e mësipërm akuzohen dhe për krime të kryera nga “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe përmes pjesëmarrjes në të.
I pandehuri Elvis Gaçaj, akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni”, në bashkëpunim me Leonard Duka, Oltjan Loga, Dritan Agaj, për fakt penal të verifikuar më datë 08.04.2019 në Kompleksin “Halili” në Tiranë.
Elvis Gaçaj akuzohet dhe për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” përmes mbajtjes së saj, në bashkëpunim me Leonard Duka, Oltjan Loga, Dritan Agaj, për fakt penal të verifikuar më datë 08.04.2019 në Kompleksin “Halili” në Tiranë.
Elvis Gaçaj akuzohet dhe për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, për fakt penal të verifikuar më 07.08.2019 rreth orës 02.00 në banesën e tij, në rrugën “Dora D’Istria”, pallati nr.12/1, Sh.1, ap.8, Tiranë.
Kërkohet pushimi i çështjes ndaj personit nën hetim Xhoni Nica, hetuar si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në kuadrin e pjesëmarrjes në Grup të Strukturuar Kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.