Gazeta Si - Rreth një vit pas së aferës, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur këtë të hënë hetimet për inceneratorin e Fierit, ndërsa i komunikoi akuzat Alqi Bllakos. Ish-deputeti socialist, sipas Prokurorisë akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Pritet që në vijim akuzat t’i komunikohen edhe personave të tjerë të dyshuar në këtë dosje, përfshi edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.
SPAK për këtë dosje mori nën hetim edhe 11 persona të tjerë disa javë më parë të akuzuar se nëpërmjet një skeme mashtrimi me fatura fiktive kishin përfituar miliona lekë.
Sipas hetimimeve të SPAK, 4 milionë euro janë paguar për inceneratorin e Fierit për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.
Pas mbylljes së hetimeve, priten qëndrimet e avokatëve dhe më pas GJKKO do të vendosë nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim.
Pas sekuestrimit të kompjuterit të ish-deputetit pas marrjes së tij si i pandehur, janë gjetur prova që e implikojnë atë në korrupsion të zyrtarëve të lartë.
Sipas SPAK, Alqi Bllako ka shkëmbyer e-maile nga adresa e tij private me administratorin e kompanisë “Alb tek energy”, Klodian Zoto, duke e informuar këtë të fundit mbi procedurën e dhënies me koncension të inceneratorit të Elbasanit.
Oficerët e SPAK dyshojnë se ai i përcillte Zotos, e-mailet e zyrtarëve të ministrisë së Mjedisit mbi procedurat që duhet të ndiqte për të fituar të drejtën e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit.
Referuar hetimeve të kryera, këto kontakte janë mbajtur në kohën që Bllako ushtronte detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe prokuroria ka dyshime se ish-depueti të ketë paracaktuar garën duke shpallur fituese kompaninë që përfaqësohej nga Zoto.
Më 16 nëntor 2022, firmosi 11 urdhër-arreste lidhur me aferën e inceneratorit të Fierit dhe zbardhi abuzimet me fatura fiktive në vlerën 4 milionë euro.
Pesë personat e arrestuar, Arben Dervishaj, Regan Merdani, Gentian Zifla, Robert Shabani dhe Enver Sheshi janë në "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.
Ndërsa janë shpallur në kërkim Arbër Denizi, Juri Ymeraj, Silvester Dreza, Luran Dusha, Arjola Kodra dhe Giuseppe Ciaffaglione.
Për aferën e Fierit, Prokuroria ka kërkuar masën "arrest me burg" edhe për administratoren Arjola Kodra dhe italianin G.I., administratorë të incenertorit të Tiranës, por lidhja deri tani është e paqartë. Megjithatë, kjo dosje e denoncuar si një aferë, nuk është hapur ende nga SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.