Kombetarja

Mbrojtja kuqezi jep garanci për Silvinjon, përjashtim bën vetëm Kumbulla

Gazeta Si – Deri pak javë më parë ishte bërë shqetësim qëndrimi në stol i mbrojtësve të Kombëtares për arsye të ndryshme. Reparti difensiv është një nga pikat më të forta të kuqezinjve dhe mosaktivizimi i lojtarëve me klubet e tyre do të ishte problem i madh, por situata ka ndryshuar shpejt.

Fundjavën që shkoi, me përjashtim të Marash Kumbullës, të gjithë mbrojtësit titullarë të Kombëtares ishin në fushë nga minuta e parë. Në Itali, ku aktivizohen kryesisht mbrojtësit tanë, Gjimshiti, Ismajli dhe Hysaj luajtën nga një 90-minutësh të plotë.

Berat Gjimshiti. Gazeta Si, 20 shkurt 2023

Berat Gjimshiti ka rifituar pozitat e tij tek Atalanta, që të dielën u mund 1-2 nga Leçe. Adrian Ismajli ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer titullar me Empolin e tij, që në fundjavë barazoi 1-1 në fushën e Fiorentinës.

Elseid Hysaj u aktivizua në krahun e majtë të mbrojtjes nga trajneri Sarri në fitoren 0-2 në transfertë me Salernitanën. Mbrojtësi shkodran e ka rritur ndjeshëm nivelin e tij gjatë këtyre javëve të fundit, ku ka marrë më shumë minuta. Marash Kumbulla qëndroi gjithë kohën në stol në ndeshjen e Romës me Veronën.

Në Spanjë, Ivan Balliu mbetet titullar i padiskutueshëm te Rajo Valekano. Fakti që mbrojtësit po luajnë titullarë aktualisht sigurisht që e kënaq edhe trajnerin e Kombëtares, Silvinjo, pasi po afron ndeshja e parë eliminatore me Poloninë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë