Kombetarja

Mbrojtja kuqezi e gjitha “italiane”, edhe Ismajli drejt Serisë A

Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Kastriot Dermaku, Frederik Veseli e Marash Kumbulla, të gjithë në Itali. Shumë shpejt atyre do t’u shtohet edhe Ardian Ismajli, i vetmi nga titullarët e mbrojtjes së Kombëtares që nuk luan në Itali, por në Kroaci, me Hajdukun e Splitit. Paraqitja e 23-vjeçarit ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të Serisë A dhe ndoshta që sezonin e ardhshëm Ismajli do të bëhet “italian”.

Shtypi italian shkruan se për momentin janë Bolonja dhe Atalanta dy skuadrat që kanë interes konkret për Ismajlin. Jo vetëm në kampionatin kroat, por edhe në ndeshjet Kombëtares, mbrojtësi ka qenë titullar i padiskutueshëm. Një lojtar me shumë personalitet, edhe pse është ende i ri. Ai luan në një kampionat të një niveli më të ulët se kolegët, por është më i sigurti në formacionin e trajnerit Reja. Ka mundësi që Ismajli dhe Gjimshiti të luajnë bashkë edhe në nivel klubesh, pasi Atalanta po e ndjek me shumë vëmendje këtë futbollist.

Ardian Ismajli me fanellën e Kombëtares. Gazeta Si, 13 nëntor 2019

Kalimi në Serinë A patjetër që do të ishte një lëvizje e rëndësishnme për lojtarin me origjinë kosovare, i cili vendosi të luajë për Shqipërinë. Ismajli shihet si një nga kolonat kryesore të Kombëtares në të ardhmen, pasi rritja e tij profesionale është e sigurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë