Kombetarja

Mbrojtja e Kombëtares, 5 kuqezinj titullarë javën e fundit në Serinë A

Futbollistët e Kombëtares që luajnë në Serinë A ishin të gjithë titullarë në ndeshjet e javës së fundit, me përjashtim të portierit Etrit Berisha, i cili është i dëmtuar. Risia e fundjavës që lamë pas ishte Kastriot Dermaku, në fushë nga minuta e parë ndaj Interit. Strakosha, Kumbulla, Gjimshiti luajë rregullisht, por edhe kapiteni Hysaj po fiton më shumë besim nga trajneri Gatuzo.

Pesë lojtarë të prapavijës kuqezi ishin titullarë, por vetëm dy prej tyre e mbyllën 90-minutëshin, Strakosha dhe Hysaj, kurse tre mbrojtësit e tjerë u zëvendësuan. Për Marash Kumbullën nuk ka asnjë dyshim që është titullar i padiskutueshëm te Verona, por në barazimin 3-3 ndaj Sasuolos luajti vetëm një pjesë për shkak dmëtimi. Për të njëjtën arsye u zëvendësua pas pjesës së parë edhe Berat Gjimshiti. Atalanta e tij, skuadra më në formë e Serisë A, fitoi 2-3 në fushën e Udinezes. Kastriot Dermaku u aktivizua 77 minuta ndaj Interit dhe deri atëherë Parma e tij udhëhiqte 1-0, por në fund pësoi 2 gola.

Hysaj gjatë ndeshjes me Spalin. Gazeta Si, 29 qershor 2020

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, mund të rrijë i qetë, pasi prapavijën jo vetëm e ka të kompletuar, por në përbërje të saj ka lojtarë që aktivizohen rregullisht në një kampionat të nivelit të lartë, si Seria A. Shpërthimi i Kumbullës dhe stabiliteti i Gjimshitit janë dy pluse të mëdha për trajnerin italian të kuqezinjve. Edhe Hysaj duket se po rikthehet në formën më të mirë. Në fitoren 3-1 ndaj Spalit ai luajti 90 minuta dhe ishte më i miri në mbrojtjen e Napolit, duke u vlerësuar me notën 6.5 nga specialistët. Është folur shumë për largimin e tij nga Napoli, por nuk është çudi që Gatuzo të vërë veton për qëndrimin e shkodranit.

Problemi i vetëm për prapavijën kuqezi mbetet krahu i majtë, ku nuk ka alternativa. Nëse trajneri Reja zgjedh skemën me 3 mbrojtës, gjithçka është “ok”, pasi dy nga tre kuqezinjtë “italianë”, Kumbulla dhe Gjimshiti, luajnë me këtë sistem loje te skuadrat e tyre. Dermaku luan në mbrojtjen me 4 të Parmës, por mund të përshtatet, ashtu si dhe Ardjan Ismajli, që luan në Kroaci. Alternativat janë dhe ç’është më e rëndësishme, dy portierët dhe mbrojtësit kanë minuta në këmbë gjatë këtij sezoni.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë