Moti

Mbrojtja Civile thirrje bashkive: Mobilizoni gjithë strukturat kundër përmbytjeve. Si do jetë moti deri të martën

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje të gjitha bashkive të vendit që të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që mund të kenë nevojë për ndihmë në kushtet e përmbytjeve dhe shirave ekstreme që kanë përfshirë vendin tonë.

Sipas AKMC, parashikimi nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave tregon se do të ketë reshjet me intesitet të lartë gjatë tre ditëve të ardhshme.

Ditën e Premte (Dt.03 Nëntor 2023) ka reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa në qarqet e tjerë ka reshje mesatare deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata.

Ditën e Shtunë (Dt.04 Nëntor 2023) priten reshje intensive në qarqet Korçë,Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata. Intesiteti i reshjeve pritet të jetë më i lartë në pjesën e pare të ditës.

Ditën e Diel (Dt.05 Nëntor 2023) priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare shtrëngata.

Ditën e Hënë (Dt. 06 Nëntor 2023) pritet një pakësim i reshjeve, ato priten të jenë të dobëta në të gjitha qarqet.

Ditën e Martë (Dt. 07 Nëntor 2023) priten reshjeve të dobëta në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës reshjet pritet të arrijnë lokalisht deri mesatare.

“Në këtë kohë, bashkitë të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gadishmëri mjetet për t'ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje. Ne ju kujtojmë se siguria është prioritare. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t'ju ndihmuar dhe për t'ju ofruar këshilla në kohë reale. Në kohët e sfidave, ndihma ndaj njëri-tjetrit është thelbësore”, tha AKMC në njoftimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë