Kombetarja

Mbrojtësit kuqezi vijnë në formë, të gjithë titullarë para Çekisë dhe Polonisë

Gazeta Si – Kombëtaren shqiptare e presin dy ndeshje shumë të rëndësishme javën e ardhshme, eliminatoret me Çekinë dhe Poloninë, që do të tregojnë shumë për kualifikimin e mundshëm në Euro 2024. Trajneri Silvinjo ka shpallur tashmë edhe listën, ndërsa të hënën fillojnë përgatitjet për dy ndeshjet e përmendura më sipër.

Pozitiv është fakti që një pjesë e mirë e lojtarëve vijnë në formën e tyre optimale në këtë grumbullim. Veçanërisht mbrojtja, që do të ketë edhe detyrën më të vështirë në Pragë më 7 shtator dhe dhe më 10 shtator në ‘Air Albania’. Lojtarët e këtij reparti kanë luajtur titullarë me klubet e tyre dhe ky është një plus për skuadrën dhe trajnerin Silvinjo.

Gjimshiti feston me ekipi nje nga golat ndaj Monces. Gazeta Si, 3 shtator 2023

Berat Gjimshiti luajti 90 minuta në fitoren 3-0 të Atalantës ndaj Moncës. Elseid Hysaj po ashtu e nisi nga minuta e parë ndeshjen e Lacios me Napolin, ku skuadra e tij fitoi 1-2. Shkodrani luajti 80 minuta në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku i duhet më shumë trajnerit Silvinjo.

Ivan Balliu mbetet një titullar i padiskutueshëm me Rajo Valekanon, që të shtunën humbi 1-0 në fushën e Betisit. Edhe Adrian Ismajli, i cili do të kompletojë prapavijën, pritet titullar sot në mbrëmje ndaj Juventusit.

Një tjetër faktor pozitiv përpara dy ndeshjeve me Çekinë dhe Poloninë është se mund të kemi titullar pas shumë kohësh portierin Etrit Berisha. Ai kaloi nga Torino tek Empoli vetëm pak ditë më parë dhe sot ka shumë mundësi të zbresë në fushë që në fillim ndaj Juventusit. Berisha pritet të jetë titullar edhe me kuqezinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë