Futboll

Mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, por Maguire s’ka asnjë sponsor

Mbrojtësi më i shtrenjtë i historisë së futbollit i ka këpucët ende me ngjyrë të zezë, pa asnjë emër sponsori, por me siguri do të jetë vetëm çështje kohe, sepse do të ishte vërtet paradoksale që Harry Maguire të vazhdojë kështu.

Blerja e bujshme e Mançester Junajtid, Harry Maguire, është mbrojtësi që ka kushtuar më shumë në historinë e futbollit. Për të u paguan 88 milionë euro nga Mançester Junajtid te Leiçesteri. Megjithatë, ndryshe nga futbollistët e tjerë të mëdhenj të momentit, lojtari titullar i kombëtares angleze ende nuk është në vëmendjen e sponsorëve dhe nuk është mbuluar me paratë e tyre, siç bën me dije “The Sun”.

Harry Maguire me fanellën e Mançester Junajtid. Gazeta Si, 18 gusht 2019

Është e vërtetë që Maguire është katapultuar në futbollin e madh kohët e fundit dhe ndoshta nuk është mjaftueshëm personazh mediatik, ku kuptohet që ndikojnë jo pak roli dhe karakteri. Gjithsesi, për t’i pasur këpucët të sponsorizuara, atij i duhet të presë pak. Pas kalimit te Mançester Junajtid dhe paraqitjes mjaft të mirë ndaj Çelsit, lojtari i Mançesterit është vënë në shënjestrën e kompanive të mëdha si “Nike”, “Adidas”, “Puma” dhe “Under Armour”. Shifra që Maguire pritet të përfitojë nga sponsorët, sipas “The Sun”, mund të llogaritet në 750 mijë euro në vit. Natyrisht, edhe këpucët e reja do t’i ketë gratis, kështu që Harry Maguire do të ndihet më në fund një yll i vërtetë.

 

Më Shumë