Futboll

Mbrojtësi i Lacios nuk e ndjen Italinë, zgjedh të luajë me Brazilin

Zgjedhja e ekipit kombëtar është çështje zemre. Pavarësisht rrethanave, që mund të jenë nga më të ndryshmet, duhet ta ndjesh fanellën që do të veshësh në karrierë. Luiz Felipe Ramos Marki, mbrojtësi i Lacios, u grumbullua pak orë me Italinë U-21, por duket se ngjyra e kaltër nuk i hyri mjaftueshëm në zemër dhe ndërroi mendje.

Luiz Felipe ishte risia në listën e trajnerit Luixhi Di Biaxho për ndeshjet me Austrinë dhe Kroacinë, në kuadër të përgatitjeve për Europianin që zhvillohet në qershor në Itali. Por aventura e tij italiane zgjati vetëm pak orë, sepse në momentin e fundit mbrojtësi vendosi të luajë për Selesaon.

Luiz Felipe, mbrojtësi i Lacios

Luiz Felipe ka lindur në Brazil dhe është rritur te skuadra Ituano, madje ka luajtur edhe ndeshje me ekipin U-20 të Brazilit. Ai është me origjinë italiane, - si nga babai, ashtu edhe nga nëna, - dhe ka dy pasaporta. Prej një viti flitej se do të vishte fanellën e Italisë dhe ideja ishte përforcuar, kur stafi teknik po e vëzhgonte. Trajneri Di Biaxho, duke parë paraqitjen e mirë të mbrojtësit dhe gatishmërinë e tij për të luajtur për Italinë, vendosi ta grumbullonte. Të dielën në mbrëmje, kur grupi ishte grumbulluar në Romë, Luiz Felipe nuk ndihej i qetë për faktin se do të luante për Italinë: "Vendosa të luaj për Brazilin”, - shpjegoi mbrojtësi. Nuk ishte momenti i duhur, megjithatë trajneri Di Biaxho e fshiu emrin e tij nga lista.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë