Politike

Mblidhet Kuvendi, në rend dite dekretet dhe shkarkimi i Metës

Kuvendi mblidhet për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku në rend të ditës janë disa ligje të kthyera për rishqyrtim nga ana e Presidentit Ilir Meta, por vëmendjen e tërheq nisma e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit.

Paraditen e së hënës Konferenca e Kryetarëve vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat 4, 6, 13 dhe 20 maj 2021. Por, seanca plenare e Kuvendit nisi me kërkesën e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla për rishikimin e kalendarit të punimeve.

Balla kërkoi dy ndryshime. Së pari, ndryshimin e kalendarit për datat 6 dhe 13 maj, ku një ditë më parë konferenca e kryetarëve i përcaktoi si ditë të seancave plenare.

Balla kërkoi që seanca e datës 6 maj të shtyhet për në datën 7 maj, për t’i lënë kohë Komisionit të Ligjeve që të shqyrtojë nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Meta.

Për seancën e parashikuar më 13 maj, Balla kërkoi gjithashtu rishikim, pasi ajo përkon me përfundimin e Muajit të Ramazanit dhe festën e Bajramit.

Në seancën e sotme pritet që të njoftohet nisma për ngritjen e një komisioni tjetër hetimor ndaj Metës, që me gjasë në seancën e së enjtes do të ngrihet. Në dokumentin prej 41 faqesh renditen, sipas nismëtarëve, një sërë shkeljesh të Kushtetutës nga ana e Presidentit.

Meta akuzohet se nuk ka garantuar unitetin kombëtar dhe se në vend të zbutjes së konfliktit politik, e ka nxitur atë duke u bërë palë me opozitën. Mes rreshtave të dokumentit, Presidenti fajësohet si nxitës edhe i përplasjes me armë në Elbasan.

Sipas mazhorancës, deklaratat dhe mesazhet e intensifikuara të Presidentit janë qartazi të njëanshme.

“Favorizojnë partitë opozitare dhe që njëkohësisht denigrojnë mazhorancën, duke cenuar kështu rëndë barazinë e konkurrimit politik dhe duke shkelur paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës”, vijohet më tej.

Analiza e deklaratave të Metës nis të paktën që prej muajit shkurt dhe socialistët janë të bindur se përmbajtja e tyre është një mesazh i qartë kundër mazhorancës dhe mbrojtje publike e interesit të një grupimi individësh opozitarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë