Politike

Mblidhet komisioni i kandidaturave, Basha: Rrotacioni, i pashmangshëm

Bujar Nishani, Besnik Mustafaj, Genc Ruli, Enriketa Papa dhe Mark Marku, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të kandidaturave për deputet u takuan të martën me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Një takim formal më shumë për të treguar se procesi i seleksionimit të kandidaturave me sigura të respektuara është marrë seriozisht nga PD-ja.

Të paktën kështu është shprehur vetë Basha në një postim në Facebook pas takimit të zhvilluar.    

“PD do të përfaqësohet në përballjen e ardhshme elektorale nga elita e saj politike, si dhe nga personalitete të shquara të jetës akademike dhe publike. Nisja e punës nga Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave është vetëm faza e parë e seleksionimit të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme.

Ky është momenti të shpreh mirënjohjen për çdo anëtar të Partisë Demokratike, që kontribuoi në këtë proces të propozimit të kandidatëve, duke evidentuar më të mirët e më të mirëve, të cilët përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do t’i besojnë PD-së dhe aleatëve të saj”, shkruan Basha.

Përzgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme, sipas tij, do të jetë epoka e re në demokratizimin e partive politike shqiptare.

“Modeli ynë, ku zëri i anëtarësisë dëgjohet në përzgjedhjen e përfaqësuesve në parlamentin e ardhshëm dhe drejtuesve në nivel vendor dhe qëndror, do të jetë dhe modeli për qeverisjen e ardhshme, ku zëri i qytetarëve do të jetë parësor në vendimmarrjet për Shqipërinë, për shqiptarët, për zhvillim dhe punësim, si prioritet kryesor i imi dhe i PD.

Me modelin më të mirë të përzgjedhjes së kandidaturave, me programin shpresëdhënës dhe angazhimin tonë të plotë dhe serioz, motorrët e ndezur të fushatës sonë po çojnë përpara çdo ditë e më shumë procesin e pashmangshëm të rrotacionit politik”, shkruan ai.

Gjatë fazës së seleksionimit të kandidatëve do të merren parasysh kriteret që lidhen me aktivizimin në jetën politike dhe publike të vendit, të kenë qenë mbrojtës në vazhdimësi të interesave vlerave dhe programit të PD-së, kontributit politik në parti, apo angazhimit në fushata elektorale.

Procesi i seleksionimit zgjat një muaj.

Në shtator lista i kthehet sërish bazës për miratim. 80% e saj do të miratohet në fund nga kryesia e partisë ndërsa 20% do të jenë prurje të reja të propozuara nga lidershipi i partisë. Nga lista përfundimtare, 30% e saj do të jenë gra ndërsa 10% të rinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë