Filma

‘Mbjellja e Pemëve’… Ylljet Aliçka çon në Kanë një histori të vërtetë shqiptare

foto e filmit

Nga Gazeta Si - Kjo është një histori e vërtetë dhe tronditëse e një nëne që gërmon tokën e ngurtë pranë burgut të Burrelit në kërkim të trupit të të birit...

Filmi me metrazh të shkurtër “Mbjellja e Pemëve”, me skenar të Ylljet Aliçkës e regji të Fabio Seferit, është përzgjedhur në seksionin e Market Film, si pjesë e katalogut të edicionit të 75-të Festivalit të Filmit në Kanë që startoi mbrëmjen e 17 majit.

Për skenaristin Ylljet Alicka, “Mbjellja e Pemëve” është një dramë e fuqishme dhe simbolike.

“Është fjala për një histori të vërtetë: një nënë, djali i të cilës ka vdekur në burg dhe gardianët nuk e mbajnë mend ku e kanë varrosur, ‘diku në tokën djerrë prapa burgut’. Nëna e djalit nis të hapë gropa kuturu në kërkim të të birit. Komanda e burgut përfiton nga rasti t’i shfrytëzojë gropat për të mbjellë fidanë, sepse është kritikuar nga Qendra ‘se pse e kanë lënë djerrë tokën rreth burgut pa mbjellë asnjë peme’”, shprehet për Gazetën "Si" skenaristi i filmit, Ylljet Aliçka.

Sipas Aliçkës, kjo histori “është më shumë një metaforë, ku cinizmi dhe dehumanizmi i njeriut prek nivelet me të papërfytyrueshme…”

Filmi nuk është në konkurrim për të fituar çmim, por do të ketë Market Screening në datën 25 maj, ora 15:30, ku do të përfaqësojë vendin tonë në Kanë.

Në realizimin e këtij filmi kanë marrë pjesë emrat më të njohur shqiptarë, si Luiza Xhuvani, Guljelm Radoja, i cili në këtë film pati edhe rolin e tij të fundit.

Ngjarjet e filmit orvaten në kohën e diktaturës dhe është diktatura ajo që merr në dorë jetën e protagonistit të interpretuar nga Roerd Toçe, ndërsa Luiza Xhuvani, sjell dëshpërimin e nënave që humbën fëmijët e tyre burgjeve të komunizmit.

“Filmi është xhiruar gjatë periudhës së pandemisë. Historia e filmit është gjatë viteve 1983 në periudhën e komunizmit. Një djalë i ri dënohet me burg pasi kishte lexuar një libër të ndaluar.  Në mënyrë të beftë do t’i shtohen akuza të tjera, si dëshira për t’u arratisur...”, thotë për Gazetën "Si" regjisori Fabio Seferi.

Në role kryesore janë Luiza Xhuvani, Roerd Toçe, Guliem Radoja, ndërsa në role të tjera janë Kastriot Çaushi, Alert Celoaliaj, Myzafer Zifla dhe aktorë të rinj si Edvin Mustafa, Erion Hodo, Xhino Musollari, Kevin Rapaj, Kristina Rushiti.

Filmi u realizua me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Filmit dhe ka si producent Mateo Cingun.

Kana është festivali më i rëndësishëm i filmit në Europë. Festivali do të përfundojë më 28 maj dhe në garën kryesore janë 21 filma, ndër të cilët juria e kryesuar nga aktori Vincent Lindon do të zgjedhë se kujt do t’i japë Palmën e Artë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë