Filma

‘Mbjellja e pemëve’ dhe 2 filma të tjerë shqiptarë garojnë në ‘DokuFest’

Nga Gazeta Si - Tre filma artistikë me metrazh të shkurtër dhe një dokumentar të mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë marrin pjesë në festivalin ndërkombëtar të filmit “DokuFest”, i cili mbahet në qytetin e Prizrenit në Kosovë.  

Edicioni i 21-të pritet të prezantojë prodhime filmash shqiptarë dhe të huaj. Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurt “DokuFest” është festivali më i madh i filmit në Kosovë.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë bën me dije se në seleksionimin zyrtar janë përzgjedhur 4 filma me financim prej saj.

“International Documentary and Short Film Festival “DokuFest”, në edicionin e 21, i cili do të zhvillohet nga data 5-13 gusht, 2022, ka përzgjedhur në seleksionimin zyrtar disa filma shqiptarë të cilët janë financuar nga Qendra Kombëtarë e Kinematografisë”, thuhet nga QKK, që ka publikuar dhe titujt e këtyre filmave.

Sipas QKK, në seksionin “Human rights dox” është dokumentari “Bijtë e Kainit”, skenari dhe regjia Keti Stamo, prodhim i shtëpisë kinematografike “Anima Pictures” dhe producente Amantia Peza. Në seksionin kombëtar marrin pjesë tre filma artistikë me metrazh të shkurtër. Bëhet fjalë për filmin artistik me metrazh të shkurtër “Pelikanët e zinj”, me regji nga Luli Bitri. Filmi artistik me metrazh të shkurtër “Mbjellja e Pemëve”, skenari Ylljet Aliçka, regjia Fabio Seferi, prodhim i shtëpisë kinematografike “Makers Production”. Si dhe filmi artistik me metrazh të shkurtër “Diskofuneral”, skenari Benard Laze e Lorin Terezi, regjia Benard Laze.

Festivali “DokuFest”, me 109 filma

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurt “DokuFest” çdo vit mbush kinematë rreth qendrës historike të Prizrenit. Disa ditë më parë “DokuFest” shpalli listën e plotë të filmave në 8 programe të tij garuese.

Në faqen e festivalit thuhet se gjithsej 109 filma do të garojnë për çmimet.

“Të përzgjedhur nga një numër rekord i aplikimeve, programet garuese të edicionit të 21-të të ‘DokuFest’ janë plot me filma, që do të na bindin se filmi është e vetmja formë e artit që na ngjall dëshirën për të ndryshuar botën, duke prekur spektrin e plotë të emocioneve tona. Duke filluar nga filmbërësit e rinj, tek mjeshtrat e zanatit apo edhe filmbërësit me filmat e tyre të parë, jemi më se të kënaqur të prezantojmë një përzgjedhje të jashtëzakonshme të filmave garues për edicion e 21-të të ‘DokuFestit’”, thuhet ndër të tjera në faqen e festivalit.

Drejtori artistik Veton Nurkollari shprehet i kënaqur se “DokuFest” i rikthehet ritmit të mëparshëm.

“Me një program eklektik të filmave, që me shumë bindje them se do ta mahnisë, prekë, e madje edhe ta trondisë audiencën”, thotë Nurkollari.

Sipas tij prezantimi i veprave të cilësisë më të lartë, vit pas viti, për audiencën gjithnjë në rritje është qëllimi më i madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë