Kombetarja

Mbingarkesa në sulm, Silvinjos do t’i duhet të presë ‘krahët’ për listën zyrtare

Gazeta Si – Janë 9 sulmuesit e listës së trajnerit Silvinjo për ndeshjet miqësore me Kilin dhe Suedinë. Po të llogarisim që jashtë kanë mbetur Daku dhe Muja, si dhe kandidatë për të ardhmen, si Çuni dhe Tuci, bëhen 11 sulmues të gatshëm për trajnerin brazilian. Një skuadër më vete, mbingarkesë e madhe për një repart shumë të rëndësishëm.

Trajneri Silvinjo me diplomaci në konferencë shtypi deklaroi se këtë lloj ‘dhimbjeje koke’ do të donte ta kishte çdo trajner. Në fakt, ai ka dashur vetëm ta shtyjë stresin e listës zyrtare rreth dy muaj, kur të vijë koha e shpalljes së saj.

Me gjendjen aktuale, kuqezinjtë kanë 4 sulmues, të cilët duhet të jenë medoemos në listën e Europianit 2024. Sokol Cikalleshi e ka një ‘biletë’ në dorë me kontributin që ka dhënë gjatë eliminatoreve. Eksperienca e kavajasit është e rëndësishme për formacionin kuqezi.

Rei Manaj është sulmuesi më në formë dhe nëse mban këtë ritëm, sipas gjithë specialistëve dhe opinionit sportiv, nuk mund të lihet jashtë. Tani duket një lojtar më i pjekur, që mund t’i vlejë Kombëtares në një kompeticion madhor.

Armando Broja është në një situatë delikate, por Shqipëria nuk e ka luksin të lërë jashtë një lojtar të këtij kalibri. Kualiteti nuk vihet në diskutim, forma pastaj ngre diskutime, por deri në qershor ai mund të përmirësojë diçka. Edhe pse nuk po luan, Broja është një lojtar i Çelsit dhe askush nuk do kishte guximin ta injoronte.

Myrto Uzuni po ashtu luan titullar në një nga 5 kampionatet më të rëndësishëm në Europë, La Liga. Ka shënuar në kampionat nuk ka asnjë arsye për të mbetur jashtë liste, duke përjashtuar ndonjë dëmtim të mundshëm.

Kemi 4 qendërsulmues që Silvinjo, sipas të gjitha gjasave, do t’i ketë në listë. Por braziliani luan me një lojtar në majë të sulmit, që do të thotë se i mjaftojnë dy sulmues të kësaj natyre, një në fushë nga minuta e parë dhe një tjetër në stol.

Dy sulmuesit e tjerë mund të përdoren edhe në krahë dhe ata që i kanë karakteristikat për këtë pozicion janë Uzuni dhe Broja. Por spostimi i tyre rrjedhimisht limiton vendet për sulmuesit e tjerë që luajnë në krahë dhe nuk janë pak.

Ndoshta Silvinjo do ta ketë më të lehtë të lërë jashtë sulmuesit e krahëve, sepse nuk mund të marrë në Europian 9 sulmues, sa janë tani në listë. Arbnor Muja nuk është grumbulluar aktualisht dhe nga sa kuptohet, do mbetet edhe jashtë Europianit.

Kush do të jenë ata që do të bashkohen me Mujën? Këtu do të ndikojë drejtpërdrejt forma e çdo lojtari deri në fund të majit.

Jasir Asani dhe Ernest Muçi janë dy nga lojtarët jashtë zonës së rrezikut. I pari për golat që na çuan në Europian dhe i dyti për formën e momentit, si dhe për faktin që mund të bëjë edhe numrin 10, si Bajrami.

Atëherë, emra si Muçolli, Seferi dhe Hoxha, i grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren, mund të konkurrojnë fort për një fanellë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë