Shendet

Mbingarkesa në spitale, Manastirliu: Të shmangim skenarin e seleksionimit të pacientëve për trajtim

GazetaSi

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kërkoi nga qytetarët zbatimin e masave të parandalimit të përhapjes së Covid-19, jo vetëm si mekanizëm për të shmangur një mbyllje të dytë, por më shumë si mjet për të shmangur kolapsin e sistemit shëndetësor.

Manastirliu foli në seancën plenare të kësaj të enjte, ku tha se aktualisht në spitale situata është e përballueshme, por rritja me shpejtësi e pacientëve që kanë nevojë për trajtim intensiv mjekësor mund ta çojë vendin në skenare tragjike.

“Nëse do të kemi mbingarkesë të spitaleve do të përballemi me vështirësi dhe do të zgjedhim se kush do të trajtohet i pari në intubim, ashtu siç po bëjnë disa vende të tjera të botës”, tha ministrja.

Megjithatë, Manastirliu këmbëngul se Qeveria po përgatitet për të përballuar çdo skenar. Por, sipas ministres së Shëndetësisë, në këtë situatë nuk ndihmon konflikti politik. Ajo solli në kujtesë fjalën e Drejtorit të Përgjithshëm të OKB-së që vëren se në vende me konflikt të fortë politik është goditur “respekti për shkencën dhe punonjësit e shëndetësisë”.

“Ndaloni përdorimin politik të Covid! Pandemia nuk është futboll politik. Pandemia është përdorur edhe pa ardhur rasti i parë në vendin tonë”, tha Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë