Para

Mbi 12% e parave të shëndetësisë kanë shkuar për koncesione

Të dhënat zyrtare nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore raportojnë se gjatë vitit 2018-të pagesat për tre koncesione me partneritet publik privat dhe paketat spitalore që janë pagesa ndaj spitaleve private për shërbime shëndetësore arritën 12.4 për qind të totalit të shpenzimeve në shëndetësi.

Sipas të dhënave, nga 41 miliardë lekë të akorduara për shëndetësinë, mbi 5 miliardë lekë rezultojnë të kenë shkuar për pagesat e koncesioneve, të cilat gjatë 2019-ës priten të rriten për shkak të kontratës koncesionare të shërbimit laboratorik, e cila mendohet se do të kushtojë rreth 900 milionë lekë në vit.

Koncesioni i sterilizimit ka marrë pjesën më të madhe të pagesave: në vitin 2018-të 2 miliardë lekë, ose 28.3% më shumë se plani prej 1 miliardë e 560 milionë lekësh që ishte programuar në buxhetin e vitit të kaluar.

Kurse 1,3 miliardë lekë shkuan për paketat shëndetësore spitaleve private në bazë të kontratave të dedikuara për shërbime specifike në masën 101.5%, ose 20 milionë lekë më shumë.

Është Drejtoria e Administrimit të Paketave Shëndetësore dhe Ekzaminimeve Terciare që realizon financimin e këtyre paketave (Drejtoria Rajonale Berat, Durrës dhe Fier).

Janë realizuar po ashtu paketa të kardiologjisë 5,923 raste (284 raste në privat e 5,639 raste në publik), paketa të kardiokirurgjisë 904 raste, transplante 20 raste.

Koncesioni i checkup u financua me 876 milionë lekë, shumë kjo e barabartë me 2.1 për qind të shpenzimeve në shëndetësi.

Shpenzimet për koncesionin e dializës gjatë vitit të kaluar arritën në 736 milionë lekë ose 1.8 për qind e shpenzimeve të përgjithshme të sektorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë