Sociale

Mbërrin Coronavac. Do të ulet fasha e moshës dhe do të zgjerohen kategoritë për vaksinim

Mbërrijnë 60 mijë doza të tjera të vaksinës Coronavac së Sinovac, pjesë e kontratës së dytë prej 500 mijë dozash, të qeverisë shqiptare me distributorin e autorizuar të Sinovac. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj kanë pritur mbërritjen e vaksinave nga Aeroportin “Nënë Tereza”, ku deklaruan se janë garantuar plotësisht dozat e dyta për qytetarët.
Duke folur për planin e vaksinimit, Ministrja  e Shëndetësisë tha se me ardhjen e vaksinave, do të ulet fasha dhe do të zgjerohen kategoritë, duke filluar nga vaksinimi për punonjēsit e transportit publik.
"Dhe duke filluar me ardhjen e vaksinave, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me distributorin e Sinovac, 500 mijë vaksina, do të vijojmë edhe rritjen e grupeve të riskut, duke përfshire edhe punonjësit e transportit publik, të cilët janë pjesë e planit tonë të vaksinimit, ndërsa do të vijojmë edhe me uljen e fashës", tha Manastirliu.

Ministrja bëri me dije se të hënën vijnë sërish mbi 14 mijë vaksina Pfizer dhe përsëri vaksina AstraZeneca në fund të majit, duke vijuar me kalendarin e vaksinimit.
"E kemi vendosur të arrijmë 1 milion vaksinime brenda muajit qershor. Duke filluar nga dita e nesërme serish vijnë vaksina, janë 14,040 vaksina që vijnë nga kontrata jonë me Pfizer dhe nga kontrata e lidhur me Bashkimin Europian. Brenda muajit maj dhe fillim qershori, presim gjithashtu të vijnë edhe 40 mijë vaksina të AstraZeneca nga instrumenti COVAX", tha Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë