Sociale

Mbërrijnë ndihmat e para nga BE për Covid-19

Ka mbërritur dërgesa e parë me ndihma nga Bashkimi Europian me materiale të mbrojtëse personale për stafet mjekësore në luftë kundër Covid-19, pjesë kjo e ndihmës prej 4 milionë eurosh që u akorduan për Shqipërinë në përballimin e situatës së Covid-19.
“Këtu prapa nesh keni mundësinë të shihni një pjesë të atyrë gjërave që janë sjellë tashmë në Shqipëri, ndërkohë që në maune janë më shumë se 400 kuti të tjera si pjesë e të gjithë kësaj pune dhe donacioni që po bëjmë, pjesë e 4 milion eurove që janë dhënë donacion nga Bashkimi Europian. Ne vazhdojmë ti qëndrojmë pranë Shqipërisë, jemi tashmë më afër se kurrë, dhe së bashku jemi më të forte. Prandaj kjo është edhe tema që ne kemi zgjedhur për javën e Europës, e cila fillon sot”, tha Ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca.
Ndihmat e BE, 110 mijë palë doreza, më shumë se 2 mijë maska dhe më shumë se 1 mijë litra dezinfektantë për duart, të cilat sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, janë shumë të rëndësishme për të pasur një personel mjekësor të shëndetshëm. Në javët në vijim do të mbërrijnë edhe kite testimi, respiratorë si edhe 5 autoambulanca.
Në fjalën e saj Ministrja theksoi se duhet rritur vigjilenca edhe pse masat janë lehtësuar disi.
“Jemi me të vërtetë sot në një moment ku kemi filluar të mendojmë për hapje të kujdesshme dhe shumë të ngadaltë të masave shtrënguese. Tani është më e rëndësishme se kurrë për të rritur vigjilencën, për të rritur masat mbrojtëse të mjeteve personale për gjithë personelin tonë shëndetësor”, tha Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë