Sociale

Mbërrijnë 340 mijë doza Sinovac, thirrje për vaksinim për të shmangur “Deltën”

Shqipëria ka marrë dozën e dytë më të madhe të vaksinave, pas asaj prej 500 mijë dozash të fundit të muajit mars.

Në orët e para të mëngjesit të së hënës kanë mbërritur në vend 340 mijë doza të vaksinave Sinovac, si pjesë e marrëveshjes prej 1 milionë dozash me kompaninë turke, “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş të lidhur më datë 25 mars.

Kjo sasi dozash, sipas Ministrisë së Shëndetësisë do të ndihmojnë në vijimin e vaksinimit masiv të qytetarëve që ka nisur sipas saj, deri më derë.

“Do të intensifikojmë vaksinimin anticovid, me ditët e hapura të vaksinimit masiv, vaksinimin derë më derë dhe uljen e fashës së vaksinimit, duke u dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve të vaksinohen dhe të mbrohen nga Covid-19”, shkruan ministrja Manastirliu.

Totali i vaksinave që ka administruar deri më tani Shqipëria shkon në rreth 1.58 mln doza. Kinezja Sinovac zë më shumë se gjysmën e tyre, pastaj AstraZeneca, Pfizer dhe Sputnik V.

Autoritetet kanë përsëritur thirrjen ndaj qytetarëve për t’u vaksinuar për të shmangur një valë të mundshme të ashpër të pandemisë shkaktuar nga varianti Delta. Zyrtarisht, Shqipërëia ka regjistruar vetëm një rast me këtë variant, të një shtetasi të ardhur në Tiranë nga Londra.

Delta vlerësohet nga ekspertët si më shumë ngjitës dhe me simptoma të tjera nga varianti Alpha, që janë më shumë të ngjashme me simptomat e një gripi sezonal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë