Futboll

Mbape qëndron në Paris, Reali zhgënjehet për herë të dytë

Gazeta Si - Kilian Mbape do të qëndrojë në Paris. Sulmuesi ka vendosur të rinovojë me PSG-në deri në vitin 2025. Real Madrid merr një goditje të rëndë në planet për sezonin e ri.

Telenovela ‘Kilian Mbape’ ka marrë fund. Lojtari ka refuzuar Realin dhe ka vendosur të qëndrojë në Paris. Ai ka firmosur rinovimin e kontratës me klubin francez deri në 2025-ën.

Al Khelaifi dhe Mbape. Gazeta Si, 22 maj 2022

Njoftimi zyrtar ka ardhur para ndeshjes me Metz. "Jam krenar që po ju jap një lajm të mirë. Kilian Mbape ka firmosur deri në 2025-ën, do të qëndrojë në Paris”, - ka thënë presidenti i PSG-së, Naser Al Khelaifi.

"Jam shumë i lumtur që do ta vazhdojë avneturën time në Paris, - ka thënë sulmuesi francez. - Parisi është shtëpia ime. Shpresoj të vazhdoj të bëj atë që preferoj, të fitoj tituj”.

Sipas ‘Marca’-s, Mbape ka folur me presidentin Florentino Perez, të cilit i ka komunikuar vendimin. Sulmuesi, sipas njerëzve të afërt pranë presidentit të Realit, i ka thënë se ‘ishte vendimi më i vështirë i jetës’.

Mbape kishte një marrëveshje verbale me Realin. Kjo marrëveshje parashikonte një bonus prej 130 milionë eurosh për firmën dhe një pagë 40 milionë euro në sezon. Si dhe kontrollin total të të drejtave të imazhit. Reali zhgënjehet nga sulmuesi për herë të dytë.

"Ju falënderoj, por do të qëndroj në Paris. Shpresoj të më kuptoni", - janë fjalët që Mbape i tha Perezit. Presidenti i Ralit iu përgjigj: "Më vjen keq për çfarë ka ndodhur këto ditë. Kanë shkatërruar ëndrrën që kishe që i vogël. Të uroj më të mirat”.

Me qëndrimin në Paris, sulmuesi do të fitojë 50 milionë euro në sezon, plus bonusin 300 milionë për firmën. Duket se edhe presioni politik, si nga Katari, ashtu edhe nga Franca, ka ndikuar në vendimin e lojtarit.

Po ashtu, PSG i ka garantuar sulmuesit ndikim të hapur në projektin sportiv. Mbape mund të ketë shumë peshë në zgjedhjen e trajnerit të ri dhe të shokëve të skuadrës. Ai dëshiron emra të madhenj për të fituar Ligën e Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë