Katar 2022

Mbape një yll global, KM10 është tashmë një markë fituese

Gazeta Si – Gola dhe rritje, lojëra prej fenomeni dhe rekord pas rekordi. Ndeshje pas ndeshjeje Kilian Mbape vazhdon të shkruajë legjendën e tij dhe kapituj të rinj në historinë e futbollit.

Botërori i Katarit ka konfirmuar impaktin planetar të francezit. Kilian ka qenë në faqen e parë të ‘Time’ në 2018-ën si simboli i një gjenerate që po vjen për të ndryshuar gjërat. Ylli i PSG-së, futbollisti i 4-t më i dashur në Instagram (pas CR7, Mesit dhe Nejmarit), me 74 milionë ndjekës, synon të japë shembullin e tij në fushë dhe jashtë saj.

Kilian Mbape. Gazeta Si, 28 nentor 2022

Për këtë qëllim ai u përplas edhe me federatën franceze për çështjen e administrimit të sponsorëve, të cilët janë vënë në radhë për ta pasur si imazh. Dhe çdo vit, sipas ‘Forbes’, i garantojnë sulmuesit 18 milionë dollarë.

Tre janë sponsorët kryesorë. ‘Nike’, që e ndjek që nga koha kur luante për Monakonë, pasi lojtari ka pasur gjithmonë simpati për markën amerikane. Pastaj është gjiganti i video-lojërave ‘EA Sports’, që e ka vendosur në kopertinën e Fifa 21.

Bashkëpunimi ndoshta më simbolik është ai me ‘Hublot’, që e ka dashur si ambasador planetar, bashkë me Pelé, me të cilin gjithmonë e më shumë krahasohet dhe po i merr tashmë çdo rekord, edhe në Botëror. Tre vjet më parë, në një event, ‘O Rey’ e bekoi si pasardhësin e tij.

Mbape duke reklamuar kepucet 'Nike'. Gazeta Si, 28 nentor 2022

Lista e partnershipeve zgjatet me bashkëpunimet që Kilian Mbape ka me ‘Oakley’ dhe ‘Dior’ (që është edhe sponsor i PSG-së).

Kontratat i janë besuar avokates Deplhine Verheyden, por Mbape ndjek një strategji mjaft selektive, bashkë me nënën Fayza dhe babanë Wilfrid. Pranverën e shkuar lojtari bojkotoi një ditë promovimesh në kombëtare, duke kërcënuar se nuk do të pozonte për foton e skuadrës në shtator.

Objektivi ishte që ta detyronte federatën franceze të modifikonte akordet me sponsorët, që garantojnë 25 mijë euro për lojtar për shfrytëzimin e imazhit. Në fund fitoi Mbape, që nuk donte që imazhi i tij të shfaqej në ushqime apo pije që janë pak të shëndetshme për fëmijët, apo në kompani bastesh.

Objektivi? Nnjë shembull i mirë. “Të jesh më i miri do të thotë të shkruash historinë, të fitosh tituj dhe të trasmetosh emocione. Do të thotë gjithashtu të jesh vetvetja dhe të respektohesh edhe jashtë fushe. Është diçka globale, ndaj nuk them kurrë se dua të jem vetëm lojtari më i mirë”, - ka thënë Mbape.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë