Futboll

Mbajini mend emrat e këtyre dy talenteve shqiptare që po shkëlqejnë në Angli!

Armando Broja është xhevahiri i ri që po prodhon futbolli shqiptar. Pjesë e ekipeve të moshave të Shqipërisë deri më tani, Broja ka treguar veten e tij në disa ndeshje me kuqezinjtë, duke i djegur shumë shpejt etapat dhe shumë shpejt pritet të jetë pjesë  e  ekipit A. Sulmuesi 18-vjeçar shënoi golin e parë për Çelsin në ndeshjen kundër Brajton në Premier Ligën e të rinjve.

Armando Broja duke luajtur për Chelsea. Gazeta Si, 14 shtator 2019

Broja e nisi titullar këtë ndeshje dhe nga mediet britanike përshkruhet si një i ri premtues. Për gjatë gjithë lojës Broja ishte protagonist në këtë ndeshje dhe goli në minutën e 48’ ishte qershia mbi tortë. Vetëm 18 vjeç Broja shpreson që pas këtij sezoni të mirë me të rinjtë e Çelsit sezonin e ardhshëm të bëjë hapin e madh në karrierë për të kaluar në ekipin e parë.

Lorent Tola në ditën e prezantimit te Brajton. Gazeta Si, 14 shtator 2019

Por kjo fundjavë perfekte për Brojën është "prishur" nga një tjetër shqiptar. Ishte pikërisht Lorent Tola, i cili shënoi golin e barazimit për Brajton. I futur në pjesën e dytë, Tola çoi ndeshjen në barazim dhe shpërblyer paratë e këtij ekipi që këtë verë e mori atë nga Sioni në Zvicër. Tola në dallim nga Broja nuk është pjesë e ekipeve zinxhir të Kombëtares, por deri më tani ka luajtur me U-17 dhe U-18 të Zvicrës.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë