Politike

PS e PD takojnë delegacionin e PE. Peleshi: Hapja e kapitujve moment historik! Bardhi: Qeveria e lidhur me krimin. Shqetësim për zgjedhjet

Nga Gazeta ‘Si’ – Si deputetët e mazhorancës edhe ata të opozitës janë takuar ndarazi me delegacionin e eurodeputetëve në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.

Deputetët e PS njoftuan se kanë zhvilluar diskutime mbi katër tema, nga sundimi i ligjit, liria e medias, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal.

Niko Peleshi, në emër të grupit parlamentar, theksoi se përparimi i Shqipërisë përfshin, por nuk ndalet vetëm te përmirësimi i legjislacionit, duke përfshirë forcimin e të drejtave të njeriut dhe reformat në administratën publike, të cilat janë thelbësore për axhendën europiane. Ai e konsideroi moment historik hapjen e kapitujve.

Në këtë takim gjithashtu kreu i Grupit Parlamentar Socialist konfirmoi angazhimin e Partisë Socialiste për të bërë çdo përpjekje të mundshme në ndjekjen e agjendës së reformave europiane.

Nga ana tjetër deputetët e PD folën për integrimin por më së shumti për akuzat e tyre kundrejt qeverisë që e konsiderojnë të lidhur me krimin.

“Integrimi është një synim politik i shqiptarëve dhe një arritje e shqiptarëve, por ne nuk mund të mos flasim për të vërtetat”, deklaroi kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi.

“Ne kërkojmë hetim parlamentar që na refuzohet nga shumica. Sot në takimin e KPSA e bëjmë në një hotel sepse mazhoranca na ka ndëshkuar ne si opozitë.

Ne ndjekim rrugën ligjore për çështje që mendojmë se janë në shkelje të kushtetutës, shkojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe fitojmë çështjen për mandatin e një personi shumë pranë Edi Ramës, znj. Olta Xhaçka, që është ish-ministre e jashtme, por që mazhoranca refuzon të zbatojë vendimin e GJK”, deklaroi ai.

Më tej ai akuzoi qeverinë për lidhje me krimin.

“Ne në fushatë nuk kemi përballë deputetët e mazhorancës që ju kishit sot takim. Por siç tregojnë përgjimet e prokurorisë Belge, ne kemi bandën e Abdylajve dhe Hajrajve dhe që siç tregojnë përgjimet i kanë diktuar KM se cilët janë deputetët. Madje përgjimet tregojnë se kush do caktonte numrin 5 në listën e PS Durrës dhe siç faktet tregojnë ato caktuan kandidatët. Na qëndroni afër në këto momente, sepse i duhet vendit këndvështrimi juaj”.

Ndërkohë deputetja Jorida Tabaku tha se nuk gjejnë tek opozita vullnet që procesi i integrimit të jetë gjithëpërfshirës.

“Komisionet hetimore nuk na jepen dhe kjo ka shkak sepse mazhoranca ka frikë. Pak vite më parë drejtova një Komision Hetimor për inceneratorët që zbuloi një skemë që sot ka shumë përpara drejtësisë përfshirë një ish zëvendëskryeministër që është në kërkim ndërkombëtar. Nga ajo ditë janë refuzuar 9 komisione hetimore që janë mekanizëm në dorë të opozitës”, deklaroi Tabaku.

Ndërsa Oerd Bylykbashi theksoi se sipas tij, shteti është aktor i plotë i zgjedhjeve në Shqipëri dhe në thyerje të plotë të OSBE-së në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë