Kombetarja

Mavraj reflekton: Mos më paragjykoni

Pas atij episodi në minutën e 24’ të ndeshjes Shqipëri-Skoci, kapiteni i kombëtares Mërgim Mavraj ka qenë në qendër të kritikave në rrjetet sociale në ditët e fundit. Pas reagimit disi të ashpër dhe agresiv ndaj medieve dhe gazetarëve, Mavraj pasditen e së dielës ka bërë një hap prapa. Përmes një postimi në rrjetet sociale mbrojtësi kuqezi ka kërkuar falje edhe një herë për sjelljen e tij në mbrëmjen e së shtunës në “Loro Boriçi”. Mbrojtësi kuqezi ka kërkuar nga të gjithë tifozët që mos të paragjykohet për atë moment dobësie, që mund t’i ndoshë çdokujt.

“E ndjej të kërkoj publikisht falje për atë moment dobësie. Të gjithë gabojmë dhe këtë herë më ndodhi mua. Për Kombëtaren kam luajtur dhe i dëmtuar madje në situata edhe shumë më të vështira, ndaj ajo që kërkoj është të më kritikoni, sigurisht, por jo të vini në diskutim respektin dhe dashurinë për këtë fanellë e këto ngjyra.”- shkruan Mavraj.

Në mbyllje të reagimit të tij, Mavraj kërkon nga skuadra dhe tifozët që të lihet pas ky moment negativ dhe të gjithë të shikojnë me pozitivitet përpara në të ardhmen.
“Shohim përpara, me bindje se Shqipëria do të kthejë kapitull. Të gjithë bashkë mund t’ia dalim përsëri, por nëse jemi të ndarë atëherë mund të na mposhtë kushdo.”-mbyll reagimin e tij kapiteni i kombëtares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë