Kombetarja

Mavraj nuk ka frikë: Ndaj Francës do luajmë për fitore

Nesër Shqipëria do të zbresë në fushë në ndeshjen e pestë eliminatore për kampionatin Europian, kundër kampionëve në fuqi të Botës, Francës. Kapiteni i kuqezinjve do të jetë Mergim Mavraj dhe ishte pikërisht ai që doli në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes.

Mavraj foli me shumë besim për të dyja ndeshje, duke thënë se kuqezinjtë nuk iu tremben as francezëve edhe pse diferencat e mëdha mes dy ekipeve dihen. Për mbrojtësin shqiptar, ekipi ynë do të provojë shanset, duke tentuar që të bëjë sa më pak gabime. “E dimë të gjithë se sa e vështirë do të jetë nesër, por pavarësisht mungesave të rëndësishme të Francës, ata kanë lojtarë të tjerë me cilësi shumë të lartë. Franca sërish mbetet shumë e forte, e madje edhe më e mirë se atëherë. Pavarësisht se kemi treguar se i krijojmë çdo ekipi vështirësi të mëdha, ne do të guxojmë edhe këtë herë”, – tha fillimisht Mavraj.

Për Mërgim Mavraj, në seancat e këtyre ditëve nën drejtimin e Edi Reja, ekipi ka qenë në një gjendje mjaft të mirë dhe të gjithë janë të bindur se mund të marrin diçka pozitive ndaj Francës. “Të gjithë ne e dimë se çfarë duhet që t’i krijojmë vështirësi këtyre ekipeve me nivel kaq të lartë. Do të luajmë me shumë vetëbesim dhe duhet që të krijojmë sa më shumë vështirësi për kundërshtarin. Me sa më pak gabime për të mos u penalizuar. Duhet që të bëjmë një luftë të bukur sportive ndaj Francës për të marrë atë që duam”.

Më tej Mavaraj foli në konferencën për shtyp edhe për shanset e ekipin kuqezi sipas ndeshjeve që rezervon kalendari. Sipas kapitenit të Kombëtares shqiptare çdo gjë është e hapur dhe nuk duhet pasur frikë që të kërkohet maksimumi në të gjitha sfidat. “Pavarësisht mundësive tona që jemi të obliguar për këtë fanellë dhe të tregojmë 100% e vlerave tona, pavarësisht se ndaj Francës luajmë për të fituar, do të synojmë që të bëjmë më të mirën edhe ndaj Islandës. Natyrisht që edhe ndaj Islandës do të kemi forca për të dhënë më të mirën në fushën e lojës. Të dyja ndeshjet, për ne vlejnë 3 pikë. Si ndaj Francës, ashtu edhe ndaj Islandës, ne do të japim më të mirën tonë. Janë dy takime mjaft delikate dhe ne duhet që të japim më të mirën. Djemtë që kemi në ekip mund të përfitojnë shumë nga kjo ndeshje”, – ka thënë Mërgim Mavraj, kapiteni i kuqezinjve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë