Kombetarja

Mavraj në stol. Reja ndryshon gjysmën e ekipit: Fitorja me Islandën mban gjallë ëndrrën

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka dalë sot në konferencë shtypi, ku ka folur për ndeshjen e nesërme me Islandën në “Elbasan Arena”. E veçanta ishte se italiani shoqërohej nga Elseid Hysaj dhe jo nga Mërgim Mavraj. Hysaj do të jetë kapiteni i kuqezinjve në këtë ndeshje, ku Mavraj nuk do të luajë dhe vendin e tij do ta zërë Dermaku. Trajneri Reja sqaroi në konferencë se lënia e Mavrajt jashtë formacionit është zgjedhje teknike, por kuptohet që edhe polemikat e fundit të mbrojtësit me ish-kapitenin Rudi Vata, kanë ndikuar.

“Islanda është ndeshja jonë përcaktuese, është ajo që vendos, nëse do ta vazhdojmë ëndrrën europiane, në të kundërt do të kemi shumë vështirësi. Po fituam, marrim një shtysë shumë të fortë. Luajmë tri ndeshje në shtëpi dhe duhet të marrim 9 pikë të plota. Jemi ende në garë për kualifikimin, nëse fitojmë me Islandën. Kjo është detyra jonë, duhet të bëjmë 200% në fushë për ta arritur. Në fund do të bëjmë llogaritë, por duhet të shfrytëzojmë faktorin fushë.

Mërgim Mavraj me fanellën e Kombëtares. Gazeta Si, 9 shtator 2019

Ndryshime në formacion? Duke marrë në konsideratë vlerën e Islandës, do të bëjmë edhe ne llogaritë tona si staf. Do të bëjmë ndryshime, jam i orientuar të bëj ndryshime, duke i dhënë skuadrës më shumë forcë fizike dhe mendore. Do të shoh gjendjen e atyre që kanë luajtur dhe pastaj do të vendos për formacionin. Kam menduar të bëj 5 ndryshime për këtë ndeshje. Në mbrojtje do të ndryshojmë pak, vetëm Dermaku në vend të Mavrajt.

Çfarë ka ndodhur me Mërgimin? Është një zgjedhje teknike. Mbi të gjithë unë duhet të vlerësoj gjithë grupin dhe duhet t’u jap mundësinë të gjithëve. E kisha bërë këtë plan dhe do t’i bëja zëvendësimet. Sido që shkoi, në Francë nuk bëmë shumë keq. Mavraj është shumë i mirë në ajër. Por lojtarët këtë herë do t’i hedh në fushë, duke u bazuar edhe tek ekipi kundërshtar. Dua të aktivizoj lojtarët me gjendjen më të mirë fizike. Dermaku ka bërë një ndeshje me ne dhe tani do të bëj edhe të dytën, do të shohim se si do të shkojë. Në repartet e tjera do të ketë më shumë ndryshime”, -ka theksuar mes të tjerash trajneri Reja. Sipas tij, skema 3-5-2 që ai aplikon, nuk është një skemë mbrojtëse.

Hysaj: Nuk kam frikë nga shitiri, duhet të jemi të përqendruar
Kapiteni kuqezinjve për këtë ndeshje, Elseid Hysaj deklaroi se është gati të marrë përgjegjësitë që sjell shiriti. “Unë jam gjithmonë i kënaqur që te jem kapiten. Nuk kam frikë të jem kapiten. Në disa ndeshje ne kemi pasur edhe fat kur kam qenë kapiten, kështu që shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë.”

Elseid Hysaj ne konference per shtyp - Gazeta Si, 5 shtator 2019

Më tej për aspektin psikologjik të skuadrës pas ndeshjes me Francës, për Hysajn kritikat e ashpra janë të tepruara, por gjithsesi lojtarët e kanë mbledhur veten dhe janë gati për ndeshjen e nesërme. “Me tifozerinë dhe njerëzit që na kanë përkrahur unë iu jam falënderues. Është normale që një lojtar që gabon, pasi janë 90 minuta lojë dhe mund të bëhen gabime dhe nuk ia vlen që të sulmohet. Ne vijmë dhe luajmë për vendin tonë dhe nuk luajmë për lekë. Por ajo që doja të thoja është se ne nuk kemi aq potencë sa për të mposhtur Francën. Ne shkuam atje për të bërë maksimumin, pastaj për rezultatin ne e dimë të gjithë që ata janë kampionët e botës. Ata kanë dy tre lojtarë që vlejnë sa të gjithë ne. Nuk ka lojtarë që nuk jep 100% në fushë ta dinë të gjithë. Islanda do të ketë frikë të vijë nesër dhe të luajë kundër nesh. Do të bëjmë një ndeshje aq të bukur, aq sa nuk do ta besojë askush”,- u shpreh Hysaj.

Ndërsa sa i përket ndeshjes me Islandën, për Hysajn ajo pritet të jetë një tjetër histori, pasi edhe niveli i kundërshtarit është shumë herë më i ndryshëm. “E dimë të gjithë se kush është Franca dhe që vlen më shumë se ne. Duhet që ta harrojmë sa më shpejt atë që ndodhi dhe të përpiqemi të japim maksimumin ndaj Islandës. Ne jemi akoma një grup i vetëm. Kushdo që të shkonte në Francë, do të kishte probleme të mëdha për të gjitha Kombëtaret.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë