Kombetarja

Mavraj: Secili të mbajë përgjegjësinë që i takon

Përtej përplasjeve dhe debatit në distancë për ditën e grumbullimit, kapiteni i ekipit kombëtar, Mërgim Mavraj ka dalë në konferencën për shtyp në krahë të trajnerit Panuçi. Në daljen para gazetarëve, Panuçi ka folur si një kapiten i vërtetë, duke i motivuar shokët e ekipit. Por mbrojtësi me eksperiencë ka folur edhe për problemin e ngritur nga trajneri Panuçi për mungesën e komunikimit mes lojtarëve.

“Përgjegjësia është e çdo futbollisti në fushë. Goli që pësuam në Izrael, i pari, ishte gabim, pasi nuk e treguam veten të aftë në atë moment. Trajneri ka të drejtë. Kjo na ndikoi ndeshjen e fundit. Nëse përmirësohemi në këtë pjesë, besoj se kemi gjasa të ia dalim. Shumë e vështirë të kemi një recetë se si mbrohet porta më mirë. Duhet të shmangim gabimet individuale, sepse na kushtojnë pikë. Nuk kemi pasur edhe fatin me vete. Në të kaluarën kemi treguar veten në mbrojtje. Individualisht duhet të bëjmë më shumë”.- tha kapiteni i kombëtares.
Për sa i përket problemit që ekipi pëson shumë gola nga goditjet standarde, Mavraj tha se duhet të rritet përqendrimi tek të gjithë lojtarët e ekipit repartit difensiv.

“Duhet vëmendje e jashtëzakonshme në ndeshje. Duhet të jemi të përqendruar në momentet e duhura. Në këto ndeshje të rëndësishme, goditjet standarde kanë fituar shumë vlerë. Stërvitja gjatë javës është tjetër gjë në krahasim me ndeshjet. Do të përpiqemi të përmirësohemi. Kur jemi në stadium me 40 apo 50 mijë spektatorë, nuk mund të themi që një lojtar, ose kapiteni apo lideri kanë gabim. Nuk është garanci që po nuk fole nuk do ta pësosh. Duhet ndihma e të gjithëve”.- u shpreh mbrojtësi veteran.

Për fitoren Mavraj nuk mund të jap garanci, por thotë se të gjithë duhet të mbrohen dhe të sulmojnë me dëshirë për ta fituar këtë përballje.

“Jo, s’mund të garantojmë fitoren. Për të fituar në këto nivele, duhet të mbrohesh maksimalisht, por me dëshirë dhe vullnet të shënojmë. Të gjithë të mbrohemi dhe të gjithë të fitojmë. Shanset rriten kështu”. Besoni te fitorja? “Nëse nuk do të besonim nuk do të luanim fare”.- tha Mavraj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë