Kombetarja

Mavraj kërkon falje: Kundërshtari më provokoi

Kapiteni i kombëtares dhe ndoshta njeriu me peshën më të madhe të fajit në humbjen turpëruese mbrëmjen e kësaj të shtunë, Mërgim Mavraj ka pranuar gabimin dhe iu kërkoi të gjithëve falje. Duke folur pas ndeshjes për supersport, Mavraj tha se gabimi i tij ishte i rëndë dhe se nuk duhet të reagonte në atë formë pavarësisht provokimit të futbollistit skocez. Mbrojtësi shtatlartë tha se nuk ishte qëllimi i tij ta godiste kundërshtarin, por se vendimi i arbitrit ishte i kuptueshëm.

“I kërkoj falje tifozëve dhe skuadrës, pasi nuk kisha qëllim të tillë, por më provokoi ai futbollisti. Nuk i takon një futbollisti me kaq përgjegjësi dhe eksperiencë të reagojë kështu. Kur mora të verdhë, kundërshtari erdhi më shtyu dhe është veprim normal që të mbrohesh. Nuk tentova ta godisja me kokë dhe nuk ishte e vërtetë që e godita me kokë. Ata që ndjekin futboll, e dinë që gjëra të tilla ndodhin. Kartoni i kuq ishte negativ, por me Turqinë kemi treguar se mund t’ia dalim edhe me 10 futbollistë. Besoj se kontribuoi edhe goli i pësuar shumë herët. Minuta më vonë nuk lehtësohet situata”, u shpreh Mërgim Mavraj pas ndeshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë