Kombetarja

Mavraj: Kemi qenë ekip me 11 luftëtarë, nga Greqia duhej të ikja sa më shpejt!

Mërgim Mavraj nuk luan në ndeshjen e radhës me Islandën për shkak të dënimit disiplinor që ka marrë më parë. Megjithatë, ai ka dalë sot në konferencë shtypi dhe si një lojtar me shumë përvojë, ka folur për ndryshimet që kanë ndodhur në Kombëtare, duke filluar nga trajneri Edi Reja, të cilin e përkufizoi si një person mjaft simpatik. Mavraj ka prekur disa tema të rëndësishme në aspektin ekipor dhe individual, ku spikasin ato të liderit të Shqipërisë në fushë dhe të largimit të tij të shpejtë nga Greqia.

“Kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në ekip dhe më duhet pak kohë, që t’i analizoj me radhë se si kanë ndikuar këto ndryshime, për mirë apo për keq. Gjëja e parë që vura re kur erdha ishte grupi më i madh e lojtarëve, sepse kur shkova për të ngrënë nuk gjeta vend bosh. Kjo ishte çudia e parë. Trajneri Reja? Kemi biseduar pak dhe është një person simpatik, duket si babai ynë. Është i sjellshëm, bisedon dhe dëgjon, ndërsa anën teknike nuk e vlerësoj dot.

Këto 6 muajt e fundit kam pasur shumë sfida në Gjermani dhe i kam harruar përshtypjet e Greqisë. Mund të them se në Greqi kam njohur shumë njerëz të mirë, kam njohur shumë shqiptarë, ishte eksperiencë e mirë jashtë futbollit. Futbolli në Greqi me atë në Gjermani, ku unë kam luajtur gjithmonë, ka shumë dallime dhe nuk i përballoja dot. Nuk kisha zgjidhje tjetër, veçse të largohesha sa më shpejt prej atje. Do të jem maksimalisht i fokusuar për të ndihmuar Kombëtaren, pastaj se ku do luaj, nuk është në dorën time. E ndjej veten shumë mirë, kam besim se do të jetë mirë edhe sezoni i ardhshëm.

Mërgim Mavraj

Rezultatet nuk kanë qenë të mira, shkova në janar ta ndihmoj skuadrën që të shpëtonte, por nuk patëm sukses. Kanë ndodhur shumë gjëra gjatë kësaj kohe dhe për mua ka rëndësi se i dola për zot vetes. Do dal me kokën lart, çfarë do që të ndodhë. Në Ligën e Kombeve na shkoi keq çdo gjë, jo vetëm rezultatet, por edhe nga mënyra si kemi luajtur. Të gjithë janë të pakënaqur nga ne, presidenti, tifozët e gjithë të tjerët. Në skuadër ka pasur shumë ndryshime në muajt e fundit, ka pasur edhe pikëpyetje të mëdha. Rezultati vlen në futboll, cilësitë i kemi dhe është momenti që ta lëmë të kaluarën pas dhe të mendojmë për të ardhmen, me stafin e ri, të kemi shansin e vërtetë për të bërë diçka të mirë.

Lideri? Edhe në kohën e Lorikut, edhe më pas, ka qenë një ekip i fortë, ishin 11 luftëtarë në fushë. Nuk e bënte dallimin një lojtar. Grupi ka përgjegjësinë të ndihmojë njëri-tjetrin. Edhe tani që nuk luaj, kam për të detyrë t’i këshilloj lojtarët dhe t’u qëndroj pranë. Çdo ekip i suksesshëm i ka 11 liderë, nuk është vetëm një lider. Ndeshja me Islandën? Ende nuk e kemi fokusuar punën dhe nuk jemi përqendruar te kjo ndeshje. Besoj pasi të shkojmë në Gjermani, do të jemi të përqendruar të përgatitja e kësaj ndeshjeje. Në qershor kemi pasur vështirësi. Më kujtohet që në ndeshjet që kemi pasur në qershor kemi qenë dizastër, por do të mundohemi me shpirt që t’i kënaqim tifozët tanë, do të mundohemi maksimalisht”, - ka thënë mes të tjerash në konferencë mbrojtësi Mërgim Mavraj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë