Kombetarja

Mavraj jashtë listës së Kombëtares, Reja e ka bindur Dukën

Po afrojnë ndeshjet e radhës në kualifikueset e Euro 2020 për Shqipërinë dhe lista e trajnerit Reja për Turqinë dhe Moldavinë do të ketë të reja. Janë të dyja ndeshje në transfertë dhe shumë të rëndësishme për kuqezinjtë, sidomos me Turqinë. Thuajse i sigurt është rikthimi i sulmuesit Armando Sadiku, i cili ka nisur të luajë rregullisht në Spanjë me Malagën. Por kjo nuk është risi, sepse pritej që Sadiku të rikthehej. Tashmë ai do ta ketë më të vështirë formacionin, duke parë formën e Cikalleshit dhe Manajt, që bindën ndaj Islandës.

Mërgim Mavraj duket gjithmonë e më tepër larg Shqipërisë. Nga burime jo zyrtare mësohet se emri i tij nuk figuron në listën e trajnerit Reja për dy ndeshjet e radhës, por me shumë gjasa do të jetë edhe një shkëputje përfundimtare mes tij dhe fanellës kuqezi. Mavraj, 33 vjeç, është në metrat e fundit të karrierës dhe në ndeshjet e fundit ka pasur vështirësi, duke krijuar edhe polemika. Pasi u kthye nga dënimi, u paraqit dobët me Francën dhe ndaj Islandës qëndroi në stol. Edhe pa të në fushë ekipi funksionoi. Trajneri Reja, fanatik i mbrojtjes me 3, aktivizoi Dermakun në atë ndeshje, ndërkohë që alternativat i ka të shumta. Veseli, Kumbulla dhe Mihaj janë gati në çdo moment, madje mbrojtësi i Veronës është një kandidat potencial për të luajtur përkrah Gjimshitit dhe Ismajlit, tashmë stabël në prapavijë. Në këto kushte, mungesa e Mavrajt nuk do të ndihej.

Armando Broja me fanellën e Çelsit. Gazeta Si, 3 tetor 2019

Edhe lënia jashtë e Mavrajt mund të konsiderohet gjysmë risi në listën e Rejës. Risia e vërtetë është grumbullimi i sulmuesit Armando Broja dhe mesfushorit-sulmues Endri Çekiçi. Broja, 18 vjeç, po spikat me të rinjtë e Çelsit. Edhe me Kombëtaren U-21 ka qenë nja nga ata që kanë rënë më shumë në sy dhe mund të jetë pa frikë sulmuesi i së ardhmes në Kombëtare. Grumbullimi që në këtë moshë do ta ndihmonte të ambientohej me ekipin kuqezi. Një sulmues potent, i tipit Erjon Bogdani. Pogradecari Çekiçi, për disa vite pjesë e Kombëtares U-21, ka shfaqur një formë shumë të mirë në kampionatin slloven me Olimpija Luabjanën. Ai luan si sulmues krahu dhe mund të jetë një zëvendësues për Eros Grezdën, për të cilin për momentin nuk bëhet fjalë të kthehet në Kombëtare, pasi nuk po luan.

Së shpejti mund të ketë të reja edhe për kontratën e trajnerit Edi Reja. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është gati të zyrtarizojë vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin italian, që duket se e ka bindur me fitoren me Islandën. Objektivi i Shqipërisë në eliminatore varet nga ndeshja me Turqinë, megjithatë Reja ka shumë shanse të vazhdojë, pavarësisht rezultatit të saj. Kontrata e firmosur prej tij në fillim është disamujore, duke e lënë gjithçka të hapur, por duket se ka ardhur momenti për konfirmim. Kuqezinjtë kanë nisur tashmë një revolucion për rinovimin e skuadrës, duke u fokusuar tek e ardhmja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë