Kombetarja

Mavraj firmos në Gjermani, Ingolshtadi e pret si shpëtimtar

Mërgim Mavraj ka firmosur kontratën e re me Ingolshtadin në Bundesligën 2. Mbrojtësi dhe kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë kthehet në Gjermani, ku ka luajtur me shumë skuadra, së fundi me Hamburgun. Mërgim Mavraj është pritur si shpëtimtar nga ekipi i tij i ri, që lufton për të qëndruar në kategorinë e dytë të futbollit gjerman. Ingolshtadi mban vendin e fundit me 10 pikë, por ka shpresa të mbijetojë dhe me ardhjen e 32-vjeçarit drejtuesit janë të bindur se është sistemuar mbrojtja.

Përvoja e Mavrajt, sipas drejtuesve të ekipit gjerman, do të ndikojë në rezultatet e pjesës së mbetur të sezonit. Ndoshta për futbollistin kuqezi është një hap prapa në karrierë, duke qenë se ka firmosur për ekipin e vendit të fundit në Bundesligën 2, por ai nuk mendon kështu, pasi vlerëson profesionalizmin në Gjermani në çdo kategori. Njëri nga drejtuesit kryesorë të Ingolshtadit, Harald Gartner, për afrimin e Mavrajt ka thënë: “Kishim nevojë për një lojtar si Mërgim Mavraj, që besoj se do të na ndihmojë për të qëndruar në këtë kategori. Ai e njeh mirë futbollin gjerman, është një fitues dhe një luftëtar”.

Kapiteni kuqezi, pas kalimit te skuadra gjermane, ka postuar një foto në profilin e tij në Instagram, duke shkruar "Ngjyra magjike". Edhe Ingolshtadi e ka uniformën kuqezi, ashtu si Kombëtarja dhe Mavraj i referohej pikërisht këtij fakti.

Mërgim Mavraj gjatë prezantimit tek Ingolshtadi

Vetëm pak ditë më parë Mavraj prishi kontratën me Arisin e Selanikut, ku qëndroi pak muaj dhe nuk la shenjë. Largimi i tij nga Greqia u shoqërua me polemika, ku vetë futbollisti ka deklaruar se nuk janë respektuar vlerat e tij sportive dhe njerëzore në shtetin fqinj. Tani Mavraj pritet të bëjë liderin te Ingolshtadi dhe të jetë në formën më të mirë për trajnerin Kristian Panuçi për kualifikueset e Euro 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë