Kombetarja

Mavraj drejt Turqisë. Kërkohet nga Fenerbahçe

Me Hamburgun mbylli një sezon të vështirë, që u shpërfaq në fund edhe me përplasjet me drejtuesit e skuadrës.

Pas këtij sezoni, e ardhmja e Mërgim Mavrajt nuk është më e sigurtë tek skuadra gjermane dhe interesimi për mbrojtësin e Kombëtares nuk mungon.

Mediat gjermane shkruajnë se për 31-vjeçarin ka një ofertë të majme nga Turqia. Fenerbahçe është gati të paguajë shumën prej 500 mijë eurosh që mund të zgjidhë kontratën e tij me Hamburgun dhe ta bëjë të vetin lojtarin shqiptar.

Vetë Mavrajn në Turqi, gjithnjë sipas mediave gjermane, e pret një kontratë prej 1.7 milionë euro, duke e shndërruar atë në lojtarin më të paguar të Kombëtares shqiptare, që lë pas 1.6 mln eurot që paguhet aktualisht Shkëlzen Gashi.

Transferimi është tundues për mbrojtësin edhe për faktin që mund të jetë protagonist në kupat e Europës. Fenerbahçe e mbylli sezonin në vendin e dytë në Turqi dhe do të nisë aventurën europiane nga fazat eleminatore të Ligës së Kampionëve.

Gjithnjë në rast se realizohet transferta, Mavraj do të gjejë në Turqi emra si Van Persi, Srtel, Valbuena dhe Dirar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë