Shendet

Matja e temperaturës nuk është efektive për të vërtetuar nëse ke apo jo Covid-19

Në të gjithë botën po merren masa për të zvogëluar përhapjen e Covid-19. Së bashku me distancën fizike, dezinfektimin e duarve dhe mbajtjen e maskave, kontrollimi i temperaturës po vendoset gjithnjë e më shumë si kërkesë para se të lejohet hyrja në spitale, dyqane, vende pune dhe shkolla. Por ka arsye fiziologjike dhe klinike pse kontrollimi i temperaturës thjesht nuk funksionon.

Andrea Fuller dhe Duncan Mitchell profesorë në Universitetin e Johanesburg shpjegojnë pse kjo metodë nuk ka gjasa të zvogëlojë përhapjen e virusit. Argumentet e tyre bazohen në një kuptim të fiziologjisë së etheve, matjes së temperaturës së trupit dhe përhapjes së etheve te njerëzit që transmetojnë Covid-19.

Çfarë ndodh me trupin tuaj kur keni ethe?

Ethet janë një ngritje e përkohshme e temperaturës së trupit. Kur keni ethe, ndiheni të ftohtë, prodhimi i nxehtësisë në trupin tuaj rritet dhe humbja e nxehtësisë zvogëlohet. Kur ethet ikin sepse keni marrë një antipiretik si paracetamoli, ndiheni të ngrohtë gjë që rikthen temperaturën thelbësore të trupit në normalitet. Zbulimi i etheve kërkon pikërisht matjen e kësaj temperature. Për ta bërë atë me saktësi, duhet të vendosni një termometër në trupi. Temperatura në rektum dhe gojë afrohet me temperaturën thelbësore të trupit.

Nevoja për të matur temperaturën thelbësore të trupit ngre problemin e parë me shfaqjen e etheve. Termometrat me rreze infra të kuqe matin nxehtësinë që rrezaton nga një sipërfaqe, me fjalë të tjera temperaturën e sipërfaqes. Ata nuk e matin temperaturën thelbësore të trupit.

Nga ana tjetër, temperatura e sipërfaqes së njeriut është e ndikuar shumë nga kushtet e mjedisit. Në ambiente të ftohta, temperaturat në sipërfaqe mund të jenë shumë më të ulëta se temperatura e trupit në vetvete. Përshembull, kur bën stërvitje apo ekspozohesh në diell, mund të rritet temperatura në ballin tonë në krahasim me temperaturën thelbësore të trupit. Termometrat që po përdoren në këto kohë mund të shfaqin temperatura të larta të fytyrës që nuk kanë lidhje me sistemin imunitar të personit. Kjo metodë harxhon kohë dhe para.

Një problem tjetër është se temperatura e lëkurës nuk rritet gjatë fazës së etheve. Ajo bie sepse gjaku i ngrohtë mbahet larg lëkurës kështu që temperatura e lëkurës tuaj ndryshon në drejtim të kundërt me temperaturën thelbësore të trupit tuaj.

Termometri do të tregojë shifra normale sepse temperatura e lëkurës tuaj është e ulët edhe pse mund të jeni në fazën më të rëndë të etheve pra një temperaturë sipërfaqësore nuk është një tregues i besueshëm i etheve.

Nëse zbulohet se keni ethe, a është ky një detaj që zbulon dhe se keni Covid-19?

Edhe nëse termometrat me rreze infra të kuqe mund të zbulonin ethet në mënyrë të besueshme kjo nuk është një shenjë se personi është me Covid-19, pasi jo çdo person që është më Covid-19 ka ethe.

Hulumtimet e fundit tregojnë se shumë njerëz që rezultojnë pozitivë për Covid-19 dhe veçanërisht fëmijët, kurrë nuk kanë ndonjë shenjë të dallueshme të sëmundjes, përfshirë ethet. Këtu hyjnë edhe njerëzit që më vonë shfaqin simptoma të cilët nuk do të kenë ethe gjatë fazës së inkubacionit të Covid-19, i cili mund të zgjasë gati dy javë. Gjatë kësaj periudhe, kur ata janë asimptomatikë, mund të përhapin virusin. Zbulimi se njerëzit e infektuar pa simptoma shpërndajnë virus është thembra e Akilit për të kontrolluar pandeminë.

A ka ndihmuar kontrollimi i etheve për të parandaluar përhapjen e viruseve?

Ja një shembull: Termometrat me rreze infra të kuqe u prezantuan në aeroporte në shpërthimin e pandemisë së rëndë të SARS gjatë viteve 2002-2003. Ato ishin të përhapura në aeroporte gjatë pandemisë së Gripit H1N1 në 2009 por për arsye mjekësore dhe teknologjike ata nuk kanë arritur të parandalojnë importin e ndonjë virusi që shkakton sëmundje të frymëmarrjes. Ata kanë dështuar edhe në kombinim me ndërhyrje të tjera si pyetësorët e kontakteve dhe deklarata e shëndetit. Për shembull, 930 njerëz që u paraqitën si kandidatë të infektuar potencialisht u zgjodhën nga kontrolli termik nga mbi 9 milionë pasagjerë që hynin në Japoni në 2009-2010 por asnjë rast i gripit H1N1 nuk u diagnostikua.

Të dhënat nga Ebola tregojnë të njëjtin model. Asnjë rast i infeksionit me virusin Ebola nuk u mor në 166.224 pasagjerë të aeroportit të ekzaminuar, kur hynin dhe dilnin nga Sierra Leone në shpërthimin e viteve 2014-2016.

Në rastin e Covid-19, CNN ka raportuar se nuk janë zbuluar raste midis më shumë se 30.000 pasagjerëve të ekranizuar me kamera termike në aeroportet amerikane nga mesi i shkurtit 2020.

Disa shkencëtarë janë shprehur se kjo metodë si mënyrë për të parandaluar përhapjen e virusit nuk duhet të vazhdohet dhe se është humbje kohe pikërisht për të gjitha argumentet e lartpërmendura. Burimi: IOL. Solli në shqip: Gazeta “Si”

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë