Gazeta Si - Florjan Gjergji, një nga personat e shpallur në kërkim prej kohësh nga drejtësia shqiptare, si ideatori i një serie mashtrimesh, duke përdorur emrin e zyrtarëve të lartë të shtetit, është marë i pandehur dhe çështja kundër tij i ka kaluar për gjykim Gjykatës së Tiranës.
Ndaj Gjergjit është ngritur akuza e "mashtrimit me pasoja të rënda kryer në mënyrë të përsëritur në formën e bashkëpunimit me persona të tjerë".
Kjo është dosja e parë që shkon në gjykatë ndaj Gjergjit, i cili ka përdorur emrin e kryeministrit Edi Rama, për të mashtruar një biznesmen.
Ndërsa në rastet e tjera të mashtrimeve, Gjergji ka përdorur emrin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe politikanë të tjerë, deri tek kryebashkiaku i Vlorës.
Ndërkohë së fundi Prokuroria e Elbasanit ka regjistruar një çështje penale, pasi Florian Gjergji në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë tentuar të mashtrojnë një biznesmen, duke u prezantuar si ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Në këtë rast, biznesmenit nga Librazhdi i’u morën 100 mijë euro në emër të ministrit të Brendshëm.
Emri i tij del edhe në operacionin ku u tentua që t’i merreshin 130 mijë euro biznesmenit Pëllumb Salillari dhe një tjetër i ndodhur më 17 maj 2023.
Grupi i mashtruesve ku Gjergji bën pjesë, dyshohet se ka përdorur në një tjetër rast emrin e ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame për t’iu marrë para biznesmenëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.