Dosje

Mashtrimi me ‘Call Center’/ Spanja në kërkim të Amant Josifit, mediat: Biznesmeni i lidhur me qeverinë shqiptare

Gazeta Si – Spanja ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shqiptarin Amant Josifi, i akuzuar për një skemë masive mashtrimi me “Call Center”, për të cilën u zhvillua një operacion në Shqipëri në 8 nëntor.

Lajmin e bën me dije prestigjiozja spanjolle “El Pais”, e cila i referohet si person me lidhje të forta me qeverinë.

LEXO EDHE:
– Mashtrimi me ‘Call Center’-at / Dëmi 50 mln euro çdo 3 muaj, 4 të arrestuar në Shqipëri. Si vidheshin klientët
– Video/ Hetimi për kriptot nga Shqipëria, rrjeti fitonte 400 euro në minutë. 17.000 viktima vetëm në Spanjë

“Autoritetet spanjolle morën pjesë në operacionin në Shqipëri, burimi kryesor i thirrjeve të marketingut për viktimat në gadishullin Iberik. Një urdhër-arresti është lëshuar për Amant J., një pronar call-center me lidhje të nivelit të lartë me qeverinë shqiptare, i cili është edhe këshilltar i Ministrisë së saj të Mbrojtjes. Në Gjeorgji, autoritetet gjermane arrestuan Mikhail B., një kontribues i madh i fushatës politike që zotëronte qendra telefonike dhe faqe interneti që synonin kryesisht qytetarët gjeorgjianë. Pavarësisht se ishte në luftë, policia ukrainase çmontoi qendrat e thirrjeve që punësonin më shumë se 800 njerëz.Bastisja e koordinuar nuk kishte në shënjestër të gjithë shitësit individualë, ndërmjetësit që thërrasin njerëzit natë e ditë për të nxitur mashtrimet e tyre”, shkruan e përditshmja spanjolle.

Hetimi i nisur një vit më parë, është shtirë në disa vende të Europës, përfshirë Shqipërinë, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Ukrainë.

Mes klientëve që janë mashtruar është edhe një grua 80-vjeçare, e cila ka humbur më shumë se 837,000 dollarë (800,000 €) duke investuar në kriptovaluta.

Duke iu referuar të dhënave të Policisë dhe Prokurorisë spanjolle që janë marrë me mashtrimin e të paktën 200 mijë europianëve me kriptomonedhat, ata kanë nxjerrë edhe emrin e një shqiptari të shpallur në kërkim.

Mauro Jordan, një avokat që përfaqëson rreth 20 klientë të mashtruar ka treguar se si ka nisur kjo skemë.

“Këto organizata u krijuan fillimisht në Izrael dhe Evropën Lindore. Pak nga pak, ata filluan të lidhen me njëri-tjetrin dhe u rritën. Këto organizata shumë të mëdha dhe të lidhura ngushtë po krijojnë dhe fshijnë vazhdimisht faqe interneti, dhe hapin dhe mbyllin kompani”, tha ai.

Amant Josifi është një emër i njohur për Shqipërinë. Ai është një biznesmen shqiptar, gjithashtu ka qenë edhe këshilltar i ministrit shqiptar të Mbrojtjes deri në vitin 2020.

Themelues i APA-LIAISON Ltd në vitin 2012, i ndjekur nga EUROPE SERVICE GROUP Ltd, MCN SERVICES Ltd, etj.

Gjatë operacionit ndërkombtar të Eurojust, Europol, Guardia Civil të Spanjës në baskëpunim me SPAK, u arrestuan 4 persona në Shqipëri.

Dy prej tyre do të ekstradohen në Spanjë, pasi akuzohen për mashtrim online me kriptomonedhat.

Autoritetet pranojnë se “Call Center”-at kanë marrë përmasa të krimit të organizuar, ndërsa qarkullojnë qindra miliona euro të përfituara nga skemat e mashtrimit kompjuterik edhe me kriptomonedhat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë