Kosova

‘Masat janë të përkohshme dhe të padrejta’/ Kurti: Jam në kontakt të përditshëm me BE-në

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sërish i ka quajtur të padrejta masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.

Nga Podujeva, ai ka thënë se disa masa edhe kanë filluar të zbatohen, duke përmendur anulimin e vizitave.

Kurti deklaroi se janë paralajmëruar edhe sanksione të tjera nga Bashkimi Evropian. Sipas tij aktualisht Kosova i ka të ngujuara miliona kredi dhe grante, që duhet të kalojnë nëpërmjet Kuvendit.

Ai deklaroi të hënën, tre korrik, se rreth 149 milionë euro janë të bllokuara.

“Është e vërtetë që janë paralajmëruar masa edhe janë zbatuar disa prej tyre, ju e dini që ushtrimi i madh ‘Defender Europe’, sidomos në Gjakovë, ku e kishim të planifikuar, u pat anulua, bëhet fjalë edhe për vizita e masa të përkohshme, të cilat për bindjen time janë të padrejta.

Ajo që ne duhet të bëjmë është që në Kuvend, me 2/3 e deputetëve, t’i kalojmë ato kredi dhe grante që kanë ngelur të ngujuara dhe s’po mund t’i gëzojnë ekonomia e Kosova, rreth 149 milionë euro. Kredi dhe grante që pa 2/3 nuk po kalojnë. Teksa mërzitemi për masat e ardhshme të përkohshme, ne kemi një ngujim aktual, të cilin do të mundë ta largojmë bashkërisht në Kuvendin e Kosovës”, tha Kurti.

Ai ka sqaruar se janë identifikuar 45 persona që bëjnë pjesë në dy organizatat e shpallura terroriste nga Qeveria javën e kaluar, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

“Deri më sot janë identifikuar 45 persona, identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulm dhune ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë e gazetarëve, por edhe që kanë përdorur armë, ju e patë çfarë armatimi u konfiskua më 23 qershor. Qytetarë serbë janë më të frikësuarit prej këtyre kriminalëve, që na dërgojnë informacion çdoherë kur vepron ligji. Kemi pa numër fakte e dëshmi se bëhet fjalë për organizata terroriste, nëse nuk do t’i shpallini do të bënim shkelje dhe dëm”, u shpreh Kurti.

“Me BE-në jam në kontakt të përditshëm, dje kam biseduar me Borrellin, edhe me ndërmjetësin Lajçak, jam interesuar edhe për deskalim, edhe për normalizim, që nënkupton sundim të ligjit”, deklaroi Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë