Kosova

Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen ‘nëse do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave’

Nga Gazeta 'Si' - Ministrat e Bashkimit Evropian janë duke diskutuar të martën(12 dhjetor) në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, për paketën e zgjerimit të bllokut evropian.

Pritet që më vonë gjatë ditës në këtë takim të miratohen edhe konkluzat, ndonëse ka pasur paralajmërime se ato nuk do të kalojnë, pasi Hungaria ka paralajmëruar se do t’i bllokojë me veto.

Në pjesën e konkluzave, ku flitet për Kosovën, Këshilli i BE-së do të ftojë Kosovën që të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që mirëpret hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që do të nisë më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Pjesa më e madhe e konkluzave, që i kushtohet Kosovës, ka të bëjë me situatën e sigurisë në veri dhe me dialogun me Serbinë.

Këto porosi janë edhe në pjesën e konkluzave për Serbinë.

“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, përfshirë edhe atë të sigurisë. Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe Serbia, sikur edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet, dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në tekst.

Këshilli do të dënojë ashpër “sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj 2023. Zgjedhjet e reja në veri të Kosovës duhet të zhvillohen sa më parë që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në to pa asnjë parakusht. Serbët e Kosovës, po ashtu, duhet të kthehen në institucionet nga të cilat janë larguar. Kjo duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia”, thuhet në këtë draft.

Sa u përket masave, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës, të cilat janë arsyetuar me “mungesën e hapave të vendosur për të shtensionuar situatën në veri”, shprehet gatishmëria që ato masa të hiqen, në rast se do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave.

“Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që të heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”, thuhet në tekst.

Këshilli, edhe përmes këtyre konkluzave, do të përsërisë se nuk ka justifikim për dhunën, dhe do të dënojë sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator.

“Këshilli nënvizon përmirësimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it lidhur me këtë sulm. Këshilli mirëpret forcimin e pranisë së KFOR-it, posaçërisht në vijën kufitare/administrative mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në tekst dhe i bëhet thirrje edhe Kosovës edhe Serbisë që të përmbahen nga retorika nxitëse.

Këshilli, edhe përmes këtyre konkluzave, do të përsërisë se nuk ka justifikim për dhunën, dhe do të dënojë sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator.

“Këshilli nënvizon përmirësimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it lidhur me këtë sulm. Këshilli mirëpret forcimin e pranisë së KFOR-it, posaçërisht në vijën kufitare/administrative mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në tekst dhe i bëhet thirrje edhe Kosovës edhe Serbisë që të përmbahen nga retorika nxitëse.

Rikujtohet se BE-ja mund të ndërmarrë masa edhe ndaj Kosovës edhe ndaj Serbisë, në rast se nuk përmbahen nga nxitja e tensioneve.

“Këshilli pret nga Kosova dhe Serbia që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila do të garantonte siguri dhe demokraci përfaqësuese për të gjithë qytetarët”, thuhet në tekst./ REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë