Gazeta Si – Forcat Speciale të Policisë së Shtetit të repartit RENEA, kanë kryer kontrolle në lagjen Dobraç të Shkodrës.
Sipas burimeve paraprake, kontrollet besohet se lidhen me hetimet për masakrën me 4 viktima në Dobraç në muajin tetor.
Kontrollet e forcave RENEA po zhvillohen pranë banesave të anëtarëve të fisit Bajri, kundërshtarë të fisit Lici në lagjen Kiras të qytetit.
Masakra e Dobraçit po hetohet nga SPAK, ndërsa dy persona të dyshuar të përfshirë ndodhen në paraburgim.
Ende nuk dihet nëse ka persona të shoqëruar në lidhje me këto kontrolle në këtë zonë të Shkodrës, ndërsa detaje të tjera priten në vijim.
Pasditen e 30 tetorit 2024 në zonën e Dobraçit persona ende të paidentifikuar qëlluan nga një makinë drejt makinës, tip Benz S-Class, ku po udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati dhe një person i tretë.
Nga të shtënat makina që drejtohej nga Hamza Lici, 23 vjeç humbi kontrollin dhe përplasi motorin ku udhëtonin dy qytetarë të pafajshëm, çifti Flutura dhe Bashkim Basha.
Flutura Basha humbi jetën në vendngjarje. Ndërsa Arlind Bushati humbi jetën, po atë ditë pak orë më pas në spital . Tre ditë më pas vdiq në spital edhe Bashkim Basha.
Në makinë me Licin dhe Arlind Bushatin udhëtonte dhe një person i tretë, që dyshohet se është Ibrahim Lici.
Ky i fundit ka dalë nga makina i ka dhënë ndihmën e parë viktimave dhe është larguar nga vendi i ngjarjes pasi ka ardhur ambulanca.
Hetimet për masakrën në Dobraç kaluan në duart e SPAK pasi, Prokuroria e Shkodrës shpalli moskompetencë.
Pas ngjarjes u gjet një makinë e djegur në zonën Grudë e Re, e cila kishte dy automatik brenda që mendohet të jenë përdorur në atentat.
Të dhënat e grumbulluara sipas hetuesve tregojnë se pas vrasjes së Hamza Licit, Arlind Bushatit dhe çiftit të kalimtarëve Bashkim dhe Flutura Basha qëndrojnë disa persona që kanë bashkëpunuar si një grup kriminal.
Pista kryesore e hetimeve deri më tani është ajo e hasmërisë mes grupeve kriminale në këtë qytet, konfliktet e të cilëve janë shfaqur edhe në disa dosje të hetuara nga SPAK me bazë komunikimet në aplikacionin “SKY ECC”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.