Gazeta Si – Në Suedi transmetuesi televiziv TV4 publikoi një video të xhiruar nga një i ri që i mbijetoi të shtënave në shkollën e të rriturve në Orebro.
Në video dëgjohen të shtëna dhe në distancë thirrja: “Duhet të ikni nga Europa!”, pasuar nga të shtëna të tjera me armë zjarri.
Sipas burimeve që folën për TV4, rezulton vërtet zëri i Rickard Andersson, njeriu që sipas policisë suedeze kreu masakrën me 10 viktima dhe më u gjet i vetëvrarë nga policia.
Për momentin, hetuesit kanë thënë se nuk janë në dijeni për motivet e sulmit, por hetimet janë ende në vazhdim. “Ne po shqyrtojmë të gjitha pistat e mundshme në këtë hetim paraprak”, – tha Anders Dahlman, një zëdhënës i policisë.
Po kërkohet një motiv – Anna Bergqvist, e cila drejton hetimin, shpjegoi në një konferencë për shtyp: “Ne po pyesim dëshmitarë dhe njerëz që kanë lidhje me autorin për të kuptuar pse ndodhi kjo. Dhe ende nuk kemi një përgjigje. Kemi marrë video. Po dëgjojmë audio për të provuar se çfarë u tha. A ka diçka që mund të na çojë te motivi? Por kjo nuk është diçka që ne si drejtues të hetimit mund ta themi ende”.
Viktima të kombësive të ndryshme – Policia suedeze tha se në mesin e viktimave të masakrës në Risbergska, një shkollë për të rritur, e cila ofron edhe kurse të gjuhës suedeze për emigrantët, ka “kombësi të ndryshme”.
Vrasësi i dyshuar u identifikua në shtypin suedez si Rickard Andersson, 35 vjeç, por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.
“Ne mendojmë se e dimë se kush është autori dhe cili është identiteti i tij, por ne nuk do ta konfirmojmë atë informacion përpara se të jemi absolutisht të sigurt se kemi marrë një përputhje DNS” ,- shtoi hetuesja.
Vrasësi – Sipas mediave suedeze, sulmuesi ishte një vendas që jetonte si i vetmuar dhe vuante nga probleme psikologjike.
Ai kishte me vete disa armë. Transmetuesi TV4 publikoi një video të xhiruar nga një student i fshehur në një banjë në të cilën dëgjohen të shtëna jashtë dhe një person që bërtet: “Duhet të largoheni nga Europa!”.
Ambasada siriane shprehu “ngushëllimet dhe solidaritetin e saj me familjet e viktimave, përfshirë sirianë”, në një postim në faqen e saj në Facebook të mërkurën në mbrëmje, ndërsa pranë vendit të masakrës banorët lanë shënime, lule dhe qirinj në kujtim të viktimave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.