Ekspozite

Marubi, ekspozitë mes rregullave e tekave të dy fotografëve francezë

Balerina Cléopâtre-Diane de Mérode. Foto: Nadar

Shtatëdhjetë e katër portrete burrash të mëdhenj dhe aktorësh në poza dramatike, vijnë për publikun artdashës në ekspozitën “Nadar: mes rregullave dhe tekave”, e cila çelet më 11 tetor në mjediset e Muzeut Kombëtar të Fotografisë, “Marubi” në Shkodër. Ashtu si dinastia e Marubëve, kjo ekspozitë sjell veprat e dinastisë Nadar, portretet klasike të shekullit të 19-të të fotografit të famshëm Félix Nadar që përzihen me fotografitë e aktorëve të teatrit, realizuar nga i biri, Paul, në fillim të shekullit të 20-të.Tregu i portreteve kalon nga kthjelltësia në fantazi, duke rrëfyer zhvillimin e një shoqërie ku kodet e famës ndryshojnë.

I njohur si Nadar, Félix Tournachon, portretet e të cilit janë kremtuar në një sërë ekspozitash, është një figurë emblematike e fotografisë së shekullit të 19-të. I biri i një tipografi nga Lioni, që nga viti 1846 ai publikon karikatura në disa gazeta satirike dhe më 1854-ën  realizon “Panthéon Nadar”, një seri prej dy litografish gjigante me karikatura të të famshmëve parisienë.Në vitet 1850, ai mori portretet e figurave më të mëdha të arteve në Parisin bohem dhe në  të njëjtën kohë zhvilloi një qasje,  që i siguroi suksesin studios së tij,  edhe gjatë brezit të dytë.

Felix Nadar

Më 1853, Félix i jep leksione fotografie vëllait të tij Adrien, në studion e mjeshtrit Gustave Le Gray. Dy vëllezërit prodhojnë një seri të “Figures d'expression de Charles Deburau en Pierrot” që ka shumë sukses në Ekspozitën Universale të 1855. Pas një grindjeje, Adrien që përdor pseudonimin “Nadar i ri”, dëshiron të shkëputet nga i vëllai e të vazhdojë karrierën i vetëm, por Félix e hedh në gjyq për ekskluzivitetin e përdorimit të këtij pseudonimi dhe e fiton atë. Félix, i cili ka gjetur tek fotografia një fushë tjetër eksperimentimi, vazhdon në këtë drejtim. Mes miqve të tij radhiten figurat më në zë të asaj kohe si Baudelaire, Nerval, Dumas, Gautier, Rossini, Berlioz. Në vitin 1859, entuziazmi për “portretin si kartëvizitë” shuhet pas formulës të depozituar nga Disdéri e kjo shënon edhe fundin e kësaj vepre artizanale. Si rrjedhojë, në vazhdim Nadar do të merrej vetëm me aktivitetin e tij fotografik në studion e re të “Boulevard des Capucines”, atelieri i mëparshëm i Gustave Le Gray. Nadar, që realizon ende ndonjë portret si ata të Sarah Bernhardt apo George Sand, orientohet drejt zhvillimeve teknologjike siç është balona me ajër të ngrohtë.

Poeti Charles Buadalaire

Në 1858, ai realizon pamjen e parë ajrore mbi Petit-Clamart, e fotografuar me dritë elektrike, duke vijuar më pas me katakombet (1862) dhe rrjetin e kanalizimeve të Parisit gjatë 1864-1865 .Në 1886, së bashku më birin Paul, ai realizon, intervistën me Eugène Chevreul, me rastin e 100 vjetorit të kimistit të famshëm. Fotografitë e marra në këtë okazion publikohen në “Le Journal Illustré”.(material i marrë nga La Médiathèque de l’architecture et du patrimoine dhe Encyclopaedia Britannica).

Nën Republikën e Tretë, e cila e pa Paul Nadar-in t’i bashkohej dhe të merrte në dorë më pas biznesin e familjes, portretet u standardizuan;  një tendencë shpesh e konsideruar si shenjë e komericializmit të tepërt. I lindur më 8 shkurt 1856 në Paris, Paul-i angazhohet që në moshë shumë të re në studion fotografike të të atit. Shumë shpejt, ai dashurohet pas fotografisë e në moshën 18-vjeçare bëhet drejtori teknik dhe artistik i atelierit parisien. Pasi thyen rregullat e estetikës së kthjelltësisë të të atit, Paul realizon një sërë portretesh me shumë artifica,  siç janë ata të aktorëve, në skenat e teatrit.

Paul Nadar.

Në 1885 shpalos angazhimet e tij artistike duke u bërë anëtar i Shoqërisë franceze të fotografisë. Me vendosmërinë për t’u bërë i pavarur, ai krijon Zyrën e Përgjithshme të Fotografisë e cila merret me “furnizimin e materialeve fotografike, me aparate të shpikura prej tyre” si Detektori Nadar më 1887 dhe letra albumine Nadar më 1889. Mbas suksesit të aparatit të tij “Express-Detective Nadar” në ekspozitën universale të Parisit në 1889, ai ndërmerr një ekspeditë fotografike Turkmenistan. Fotografitë e realizuara  gjatë këtij udhëtimi në Lindje përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të veçantisë së këtij fotografi.

Në këtë kuptim, studioja e fotografit u bë i një kryqëzim mes “rregullave dhe tekave”,  ku portretet e figurave të shquara dhe përfaqësimet solemne të shtyllave të komunitetit bashkëjetojnë me pantomimat dhe gjestet e arteve performuese. Kjo ekspozitë vë në pikëpyetje pikëpamjen e tij,  që i shihte këto fotografi të aktorëve dhe aktoreve si një vizion plotësues i shoqërisë drejt fundit të shekullit të 19-të. Ekspozita, e kuruar nga profesori i historisë së artit bashkëkohor dhe fotografisë, Michel Poivert, vjen si eksplorim i arkivave  “Médiathèque de l’Architecture et du Patrimoine”, me materiale të pasura të negativëve nga studioja “Nadar Père & Fils”.  Ekspozita lidh dhe rilexon këto dy aspekteve, në dukje të kundërta, të portreteve dhe tregon se mes këtyre “burrave të mëdhenj” dhe “tablove të gjalla” të mbërthyera nga lentet ajo që shohim të pozicionuar është e gjithë imagjinata e sferës së shoqërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë