Njerez

Martesat e Vincent Cassel: Nga Bellucci, te modelja 30 vjet më e re

Divi francez ka rrëfyer për edicionin italian të “Vanity Fair” dashurinë e tij për Tina Kunakey, bashkëshorten 30 vjet më e re. Dhe sesi, me të ëmën e fëmijëve të tij, Monica Bellucci-n, nuk ka kurrfarë “lufte”. “Mendoja: kam qenë i martuar, kam dy vajza, kam bërë ç’duhej bërë; tani e tutje do të jem beqar, single. Ishte argëtuese, por pas pak kohe kuptova se jetën e kisha bosh. Nuk prisja të takoja njeri, por ja që ndodhi. Dhe kjo grua është shumë më e re sesa mund ta kisha imagjinuar.”

Një dashuri e lindur papritur, pa shumë pyetje mbi diferencën e moshës; ai 51-vjeçar, ajo 21, sepse siç thotë aktori francez  “Nuk mund të zgjedhësh me kë të biesh në dashuri. Nuk e dija sa vjeç ishte kur e takova. Ditën tjetër, kur ma tha, isha pak i befasuar, por mendova: Epo, kështu shkoi.”

Intervistuar nga Enrica Brocardo në Biarritz, Brazil, Cassel shpjegon se pse vendosi të martohet: “Ishte një premtim që bëhet për të krijuar një familje sëbashku.” Pra, gati për t’u bërë baba për herë të tretë pas Deva-s e Léonie-së, vajzat nga martesa me Monica Bellucci-n. Duket se po. “Fëmijët janë gjëja më e mrekullueshme që ekziston. Dhe, përmes fëmijëve, vajzave të mia dhe jo vetëm, kam mësuar më shumë gjëra”, rrëfen, ndërsa shton “Më kanë ndihmuar të kuptoj veten.”

Flet më pas për Monica Belluccci-n, pesë vjet pas divorcit dhe një dashurie që zgjati 18 vjet. “Nuk do i bëja kurrë keq Monica-s”, thotë. “ Idua të mirën dhe e respektoj. Nëse do të kishte nevojë për mua, do të  shkoja edhe sikur të gjendesha në anën tjetër të botës. Nuk ka kurrfarë lufte”Në një marrëdhënie, është i bindur aktori, “Më e keqja është t’i bësh keq tjetrit qëllimshëm. Për hakmarrje, për shembull.” Por nëse, siç e pohon –duke  kujtuar atë që i thoshte i ati, Jean-Pierre –“Askush nuk e di se ç’ndodh pas derës së mbyllur të një dhome”.

Me Tinën, Vincent-i duket se e hap atë derë dhe,  pasi e ka përshkruar si “inteligjente, e pavarur, e guximshme”, rrëfen kohën kur e kuptoi se kishte rënë në dashuri me të. “Një ditë pasi e njoha, kur zbulova moshën e saj dhe më tha se i ati ishte merakosur,  pasi nuk ishte kthyer në orar në shtëpi. I thashë: Më lër një takim për drekë me babanë tënd. E menjëherë më pas mendova: Po ç’më erdhi në mendje kështu? Sapo e kam takuar. Nuk e dija as pse po e bëja, madje isha i bindur se nuk ishte ide e mirë, por prapë po e bëja.”

Në shërbimin e kopertinës së “Vanity Fair” , pas rrëfimeve të Vincent Cassel, vijnë ato të Tina Kunakey-it. Modelja bukuroshe, kur u takuan, në Biarritz, nuk e kishte idenë se kush ishte ai dhe “ende nuk kam arritur t’i shoh të gjithë filmat e tij, por ata që kam parë, deri tani, më kanë pëlqyer.”

Tina pohon se Vincent-i, mëngjesin tjetër pasi e njohu, deshi të fliste me babanë  e saj. “M’u duk gjest i sjellshëm. Ishte edhe im vëlla. Folën shumë rreth kinemasë.”Prej asaj dite gjithçka rrodhi shumë shpejt. Aq sa “kur më kërkoi të martohesha me të, disa muaj më parë, më kapi të papërgatitur. Nuk e kishim biseduar më parë. Nuk iu përgjigja menjëherë, ngaqë vërtet nuk e prisja”. Pranoi. Edhe sepse, Cassel, parë me sytë e Tina-s, është “një xhentëlmen, plot vëmendje për mua, një njeri shumë inteligjent, me talent të madh, seksi, interesant, argëtues.”

E vetmja mosmarrëveshje: zgjedhjet muzikore. Ai dëgjon gjithnjë muzikë braziliane, ajo do të donte diçka ndryshe. Rreth perspektivës për të pasur fëmijë, thotë “Nuk e kam menduar ende, edhe pse herët a vonë do të më pëlqenin”. Në pritje të tyre, ai i ka dhuruar Monsieur-in, një mace e racës Sfinks, që Tina e dëshironte “qëkur isha 15 vjeç.” Vitin e kaluar isha në Kubë për punë dhe ai më dërgoi foton e maçokut me diçiturën “Shih se kush po të pret! Zura të qaja nga lumturia.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë