Sociale

Marshimi për luftën kundër kancerit të gjirit, Manastirliu: 708 raste të reja në vit

Muaji tetor i kushtohet sensibilizimit të luftës kundër kancerit të gjirit. Në shenjë sensibilizimi në rrugët e kryeqytetit kanë dalë në marshim të rinj e të reja. marshimit i janë bashkëngjitur edhe ministrja e Shëndetësisë, ambasadori Soreca si dhe diplomatja Leyla Mosses.
Ministrja Manastirliu u shpreh se numri i personave të prekur është rritur. Sipas ministres, janë 708 raste vetëm në vitin 2018.
“Beteja me kancerin e gjirit nuk është një betejë e lehtë. Në Shqipëri ka 700 raste të reja – gra e vajza të prekura nga kanceri i gjirit vetëm gjatë vitit 2018. Për fat të keq, shumica e rasteve shkojnë te mjeku në stade të avancuara, çka e bën kancerin e gjirit shkakun e parë të vdekjeve nga kanceri te femrat në Shqipëri. Por nëse kapet në kohë, beteja me kancerin e gjirit mund te fitohet”, është shprehur ndër të tjera Manastirliu.
Manastirliu tha se është bërë shumë në luftën kundër kancerit të gjirit, duke përmendur investimet e bëra për trajtimin e kësaj sëmundjeje.
“Trajtimi me aparaturën e kobaltit që deri pak vite më parë ishte e vetmja mënyrë për trajtimin me radioterapi të pacientëve me tumour, është zëvendësuar me akseleratorët linearë të fjalës së fundit të teknologjisë në spitalin onkologjik. Edhe trajtimi me barna që trajtojnë semundjet tumoriale dhe kryesisht kancerin e gjirit është përmirësuar dukshëm. Mjafton të përmendim Herceptinën – terapinë e kushtueshme që tashmë është falas pa mungesa apo vonesa, për cdo grua që ka nevojë”, tha ministrja.
Ministrja i dha çmimin “10 vjet vullnetare e fjongos rozë” Hajrie Bracellari, e cila ka fituar betejën me kancerin e gjirit.
“Me shumë kënaqësi i jap çmimin “10 vjet vullnetare e fjongos rozë” Hajries, një infermiereje që jo vetëm me kurajë të jashtëzakonshme e ka fituar betejën me kancerin e gjirit, por është shembull frymëzimi për çdo grua, për të gjetur forcën për tu përballur me këtë sëmundje të vështirë, po jo të pamundur për ta mposhtur”, tha ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë