Irena Beqiraj

Marrëveshjet për komunitetet pa komunitetet


Në vitin e largët 2002 punoja për një program të Bankës Botërore. Programi shtrihej në Bosnje Hercegovinë, Shqipëri, Maqedoni edhe Serbi.

Unë isha prurja me e re në program. E ndërsa telefonoja kolegët e Maqedonisë apo të Bosnjes për një ndihmë, nuk merrja kurrë përgjigje.

Ajo vinte sa hap e mbyll sytë sapo telefonoja zyrën e Beogradit. Në udhëtimet e mia të shpeshta në rajon do të darkoja e vetme në hotel në Shkup e Sarajevë, por kurrë në Beograd.

Kolegët e Beogradit nuk më lanë kurrë të darkoja e vetme as në ditët kur bora kishte mbuluar qytetin.

Ndërsa mund të dëgjoni me mijëra mikro histori të tilla të një bashkëpunimi të frytshëm e aspak hostil midis serbëve edhe shqiptarëve përfshi edhe ato të Kosovës, të bën përshtypje që tash 10 vjet marrëveshjet Serbi-Kosovë nuk funksionojnë.

Këtë vit mbushen plot 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së parë Kosovë -Serbi në Bruksel, e cila në kohën e nënshkrimit u quajt një nga arritjet më të qenësishme të diplomacisë së BE-së.

Megjithatë ngjarjet e fundit tregojnë që problemet janë po aty, të pa zgjidhura.

Ndërkohë lufta e Rusisë në Ukrainë duket se ka bindur përfundimisht Europën për nevojën e zgjidhjeve të qëndrueshme të ngërçeve të përhershme në Ballkanin Perëndimor. Madje ka pasur sugjerime që pranvera e vitit 2023 ishte në thelb një afat kohor, për zgjidhjen e tyre. Afat që rezultoi tepër optimist me atë çfarë po ndodh ditët e fundit.

BE-ja beson se ekziston një dritare jetike për të arritur një marrëveshje detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Udhëheqësit aktualë në Beograd dhe Prishtinë edhe pse gëzojnë mbështetjen e nevojshme për të marrë vendime të vështira mesa duket nuk janë të gatshëm për këtë.

Pavarësisht nga anon peshorja e fajit për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel  mosfunksionimi i tyre lidhet me procesin e arritjes së tyre.

Së pari për të gjitha marrëveshjet “e mira“ të arritura në Bruksel prioritetet i ka vendosur Brukseli dhe shpesh “ua imponon ato " grupeve negociuese duke lënë jashtë dhe të papërfshirë komunitetet në terren të cilat janë të implikuara drejtpërsëdrejti në konflikt.

Së dyti në implementimin e të gjitha marrëveshjeve të mira të Brukselit ka pasur vështirësi në interpretimin e “dykuptimësive” konstruktive të tyre, të cilat janë të pashmangshme kur arrihen kompromise të vështira. 

Këto lloj  “paqartësish apo dykuptimësish” janë të nevojshme dhe “konstruktive”, sepse nëse do të tentohej që çdo situatë të parashikohej qartazi në marrëveshje, arritja e saj  do të  bëhej praktikisht e pamundur.

Ndërkohë që zgjidhjet e mundshme duhet të gjenden rast pas rasti, në bazë të frymës së marrëveshjes, sepse në marrëveshje nuk është përcaktuar e zezë mbi të bardhë një zgjidhje për çdo konflikt. Dhe që kjo të arrihet duhet shmangur dezinformimi dhe retorika përçarëse, duke ndërtuar besimin brenda dhe ndërmjet komuniteteve.

Ndërkohë BE ka preferuar procese dialogu ku janë përfshirë vetëm elitat politike edhe ku negociatat janë kryer në fshehtësi, pa transparencë. Është neglizhuar tërësisht fakti që ndërtimi i paqes së vërtetë dhe të qëndrueshme në një kontekst historik armiqësor dhe të pafavorshëm, ka nevojë për një pjesëmarrje aktive të komuniteteve.   

Mungesa e figurave me ndikim të shoqërisë civile,  është një mungesë thelbësore në të gjithë proceset e politikëbërjes në vendet e Ballkanit Perëndimor. Shoqëritë tona gjithmonë janë mjaftuar me vendimet e klasave politike të cilat jo rrallë hërë janë treguar egoiste, edhe të përqendruara më së shumti tek arritjet afatshkurtra politike, por mospërfshirja e tyre në  procesin jetik të zgjidhjes së një konflikti kaq afatgjatë është fatale.

Sepse janë pikërisht këto njerëz të cilët mund të përballen më mirë se çdo lider politik me dezinformimin dhe retorikën përçarëse, duke ndërtuar besimin e nevojshëm brenda dhe ndërmjet komuniteteve.

Dialogu Beograd-Prishtinë duhet të hapet për zërat konstruktivë të shoqërisë civile serbe e kosovare të cilët ndryshe nga politikanët kanë të gjitha shtysat të përfaqësojnë në mënyrë të paanshme komunitetet e tyre dhe të artikulojnë një vizion të panashëm për të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”