Politike

Marrëveshja e 5 qershorit, 3 mesazhet e Ramës për Bashën

Kryeministri Edi Rama nuk tha nëse i ka votat e duhura (84) për marrëveshjen e 5 qershorit.

Megjithatë, ai garantoi Lulzim Bashën (të paktën deri tani) se do të kalojë paktin e firmosur me të, duke negociuar ose me opozitën si e tërë ose me grupe të caktuara të saj.

“Me durim... durimi është mall i rrallë në vendin tonë dhe sidomos në vendin tonë, por nga eksperienca, do të vijojmë të flasim me opozitën parlamentare për të marrë votën e tyre për marrëveshjen, por nuk do të dalim nga procesi pa e miratuar fjalë për fjalë në Kod atë për të cilën jemi marrë vesh më 5 Qershor. Do të bëjmë gjithçka për të bindur fillimisht opozitën si e tërë pastaj grupet e tyre etj., etj”, tha Rama

Por a priten të papritura në këmbim të votave  në Kuvend? 

“Marrëveshja është marrëveshje. Jemi më të mëdhenjtë dhe kemi lëshuar shumë, por tani ka kufij kjo gjë sepse nuk jemi shtesë kati apo godinë pa leje...”, shtoi ai.

Rama tregoi limitet e tij kur tha se nëse PD-ja nuk e njeh më këtë pakt, atëherë ai është gati të heqë dorë duke votuar për depolitizimin e komisioneve e dy tre kërkesa të tjera që PS-ja i kishte kusht, porse hoqën dorë për hir të paktit me PD dhe LSI.

“Nëse Basha mendon se pakti është hedhur në kosh dhe nëse ai vërtet nuk e do më marrëveshjen ka një mënyrë të thjeshtë për të provuar se ajo ekziston, ta heqë, të depolitizojmë administratën zgjedhore të bëjmë edhe dy tre ndryshime të tjera që ne i donim ata nuk i donin dhe unë mendoj që do t’i bënin mirë vendit. E them këtë për të kuptuar të gjithë që e kundërta është e vërtetë. Marrëveshja është aty dhe ne do ta mbështesim deri në fund. Do bëjmë çmos që të votohet me konsensus edhe nga opozita parlamentare që për fat të keq ka huqet e shtëpisë ku është rritur”, tha ai.

Rama njoftoi gjithashtu se nuk ndryshon qëndrim për ndërhyrjet në Kushtetutë. Foli konkretisht për koalicionet parazgjedhore kur tha se nuk i ka ndaluar. Thjesht ka ndryshuar formula, sipas praktikës që ndjekin gjithë vendet e Europës.

“Koalicionet as nuk do të ndalohen dhe as nuk mundet të ndalohen, ato thjesht duhet të jenë si në çdo vend të Europës kur partitë kanë të drejtë të grupohen me kandidatët e tyre.

Është e rëndësishme që të gjykohemi për produktin

Mos vallë Kuvendi po ndërmerr ndonjë nismë për t’i dhënë pushtet të pakufizuar ndokujt?. Jo. Po ju thotë qytetarëve që tani e tutje nuk do të votojnë  vetëm për partinë, por edhe për deputetin... Po krijojmë një kuadër ku koalicionet do të funksionojnë si në çdo vend të Europës dhe jo si  rrapi pas dushkut... Kërcënimi ‘ose si themi ne ose do të bëhet nami’, nuk funksionon, nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë”.

Gjërat, sipas tij, ndahen në “mejdan” apo thënë troç në zgjedhje.

“Kush ka më shumë vota fiton. Bashën nuk do ta ndalojë kush, të jetë bashkë me Monikën, Ndokën dhe me Mediun. Absolutisht askush nuk do t’i ndalojë.

Shqiptarët  do të kenë mundësi të shohin jo vetëm kush është grupi por edhe t’i japin votën atij që i pëlqen...”.

Megjithatë, Rama ftoi Bashën në tryezë për vijimin e dialogut edhe për çështjet që po trajtohen në Kuvend.

“Nëse unë do të isha Lulzim Basha do të isha në vijimësi i interesuar për dialog, për tryezë, për marrëveshje, për rimarrëveshje...”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë